Stop Tv Klan | Një format satiro-investigativ nga Saimir Kodra & Gentian Zenelaj.

Ushtria e mushkonjave i sulet karrocës së fëmijës te liqeni


Mushkonjat janë bërë si ushtri në zonën e liqenit. Një qytetar ka treguar me video, që e ka sjellë në redaksinë tonë, sesi është sulmuar nga mushkonjat karroca e fëmijës së tij, që e kishte nxjerrë për një xhiro në ajër të pastër.

U aksidentua në kokë e rrezikoi jetën, avokatja i zhvat dëmshpërblimin


Gjon Mula tregon se ka bërë një aksident në vitin 2021 në Balldre të Lezhës dhe nga goditja pati pasoja serioze në kokë.

“Më ka shpëtuar i madhi Zot”, thotë ai.

Pasi Gjoni doli nga Spitali i Traumës, atij i vjen në shtëpi avokate Eriselda Abazaj me një kolege dhe një notere, duke i premtuar të ndiqte çështjen e dëmshpërblimit në favor të tij.

“I gjuajnë këta, kur i shohin në televizor kush bën aksident i turren te shtëpia. Më erdhën tek shtëpia. Dy gra më erdhën, një notere dhe një avokate. E përgatitur kjo”, tha ai.

Gjonit iu tha, se do të fitonte miliona që do t’i merrte me këste. Në këto kushte Gjoni firmosi prokurën e përfaqësimit, duke i dhënë të drejtën Eriseldës, për të ndjekur çështjen e aksidentit të tij.

“Më erdhën tek shtëpia më tha ke bërë aksident. Po i thashë. Ty tha të takon që të marrësh pare mirë. Por nuk i merr përnjëherë, i merr këste këste. Për 3 muaj merr këstin e parë, mbrapa të dytin dhe mbrapa të tretin. Mirë thashë pra. Në shtëpi time i bëri dokumente. Firmosa”, shprehet ai.

Për 7 muaj, Gjoni nuk mori asnjë informacion nga avokatja e tij, ndaj u detyrua t’i revokojë prokurën dhe të marrë avokat tjetër.

“7 muaj as telefonit nuk i ka rënë. Për 3 muaj tha merr këstin e parë”, u shpreh ai.

“Kam bërë tërheqje prej saj me noterizim. Vazhdova me një tjetër në Lezhë. Ky ka bërë shpenzime shumë për mua. Ky për çdo hap që ka ndërruar më ka marrë në telefon”, tregon Mula.

Por Eriselda Abazaj në prokurën, që i kishte marrë Gjonit kishte shkruar një paragraf absurd sipas të cilit, nëse Gjoni do t’i hiqte përfaqësimin asaj dhe do të merrte një avokat tjetër, ajo mund ta prishë këtë akord në vend të Gjonit.

“Thënë troç, avokatja Eriselda Abazaj nuk e lejon klientin e saj që të marrë një avokat tjetër në momentin që nuk është i kënaqur me punën e saj. E gjitha kjo kleçkë dhe kjo pikë ka sjellë këtë problematikë ku ky i fundit nuk merr dot dëmshpërblimin, por edhe Eriselda Abazaj del sërish në skenë si një avokate e cila mbeti vetëm duke i mashtruar klientët e vet dhe duke bërë marrëveshje me dy porta me kompanitë e sigurimit”, thotë gazetari i “STOP”.

Vetë Eriselda, e kontaktuar nga gazetari i emisionit, i la takim këtij të fundit, por më pas u shmang. Tek zyra e saj ajo refuzoi të priste stafin e “STOP” për të kthyer përgjigje në lidhje me këtë problematikë apo problematika të tjera që kanë mbërritur në redaksi në lidhje me pakënaqësitë e klientëve të saj.

“Në 2023 në verë më ka marrë në telefon kjo se e ka parë se kanë dalë në sistem gjërat. E ka parë që kam ndërruar avokat. Më ka marrë pas 2 vitesh në telefon. Më tha jam avokatja jote. I thashë unë nuk kam avokate, kam avokat”, shprehet Gjon Mula.

“STOP” mësoi se zonja Gjoni ka bërë marrëveshje me kompaninë e sigurimit për 5-10 milionë Lekë dëmshpërblim. Por vetë Gjoni nuk ka marrë asnjë Lek.

“Në momenti që i aksidentuari Gjon Mula i shfuqizoi prokurën e përfaqësimit Eriselda Abazajt, kjo e fundit u njoftua nga kompania e sigurimit dhe me pikën e çuditshme që parashikon të ardhmen, avokatja shkoi dhe shfuqizoi prokurën që zoti Gjon Mula, i aksidentuari i kishte dhënë një avokati në qytetin e Lezhës”, thotë gazetari.

“Jam avokatja jote tha, unë i thashë qofsh shnosh. Unë kam avokat. Ta kam sjell fjalën mbrapsht se ti më ke thënë për 3 muaj marr këstin e parë. Unë kam shkuar 7 muaj pa marrë hiç në telefon. Atëherë thashë kam marr avokat tjetër në bazë të ligjit. Nuk i ha kush paret e mia tha. Moj zonjë i thashë nuk janë paret e tua, ajo është djersa ime, mundi im, gjaku im, kam derdhur gjakun në Balldre. Nuk janë paret e tua, janë paret e mia. Biles ke qenë duke i ngrënë paret prej meje. Këtu dyshoj se më tha se të takojnë 5 milionë e 535 mijë lekë. Ku e mori këtë shifër kjo pa ditur gjë. Në rast se i ka marrë paret pse nuk m’i ka dhënë? Hajde më tha takohemi në Tiranë. Jo i thashë. I mbylla telefonin. Pas 5 minutash mori prapë në telefon. Pse po merr në telefon i thashë. Mos ma mbyll telefonin tha. Arsyeja? Hajde tha të takojnë 9 milionë mbi 10 milionë. Ku e nxorri këtë shifër për 10 minuta? Ku e nxorre këtë shifër moj motra ime i thashë? Hajde në Tiranë tha. Jo i thashë nuk vij. Nuk e kam takuar fare. Vetëm kur ka ardhur tek shtëpia. Mbrapa nuk e kam parë fare”, tha Mula.

Çështja e mashtrimit ka shkuar edhe në Prokurorinë e Tiranës, ku është klasifikuar si civile. Por gjykata e ka kthyer sërish për hetim.

“Nuk di nga të shkoj. Ka çuar letra avokati dhe na i ka sjellë mbrapsht, prokurori në Tiranë. I jam drejtuar STOP-it, kam shpresë te STOP-i. Nuk kam marrë asgjë nga ligji siç më takon. Kjo më ka thënë jam unë avokatja jote, nuk jam unë”, thotë Mula.

“Merre, se qan”, edukatorja dhe drejtoresha e pësojnë pasi zbuan fëmijën


“Merre se qan”, edukatorja dhe drejtoresha e pësojnë pasi zbuan fëmijën nga çerdhja

Në 14 Mars, “STOP” transmetoi denoncimin e zonjës Besarda Mehmetaj. Ajo tregoi, se ka një fëmijë 1 vjeç që e regjistroi në Janar në çerdhen numër 3 “Dritë” në Kamëz.

Por pasi e linte fëmijën, e thërriste edukatorja, duke i thënë, që po qante. Situata arriti deri në pikën, që edukatore Xhensila i tha se mund ta linte fëmijën në kopsht deri në fund të javës, pasi nuk merreshin dot me të.

Besarda shpjegoi, se u detyrua të marrë një zonjë, që t’i mbante djalin. Me kamera të fshehtë nëna e fëmijës takoi drejtoreshën e çerdhes “Dritë”, e cila gjithashtu i tha se djalin duhet ta mbante në shtëpi, pasi nuk kanë se çfarë t’i bëjnë.

Pas transmetimit të rastit, Rakip Suli, kryetari i Bashkisë Kamëz, tha, se është prekur nga edukatorja dhe drejtoresha që janë sjellë pa etikë me familjarët e fëmijës, ndaj i ka dhënë të dyjave masë disiplinore “paralajmërim për largim nga puna”.

“Sapo pashë tek STOP-i për problemin e çerdhes në Valiasin e vjetër thirra nënkryetarin e bashkisë për tu lidhur me ju si gazetare dhe ju thirra sot për t’u njohur me masat që janë marrë nga Bashkia e Kamzës në drejtim të edukatoreve dhe përgjegjëses së kopshtit. Ju falenderoj për pasqyrimin e këtyre problematikave për vetë faktin sepse investimi në çerdhe dhe në kopshte në Bashkinë e Kamzës do të thoja është një model për të gjithë Shqipërinë. Gjithsesi ne kemi shkuar në masa për përgjegjësen e kopshtit për dy arsye, komunikimi që pati nëpërmjet mediave jo normal dhe informimi që nuk ka dhënë për problematikën e fëmijës. Si dhe edukatores vërejtje me paralajmërim me largim nga puna. I është dhënë një mundësi e dytë për të reflektuar. Të ketë një komunikim më të mirë me familjarët e fëmijëve. Në moment që pashë emisionin nuk mund të rrija nëpërmjet medias sepse ishte diçka që nuk e pranoja dot atë lloj komunikimi nga edukatorja dhe nga përgjegjësja e kopshtit. Ju bëj thirrje dhe prindërve sepse çdo 3 muaj bëjmë takim me prindërit, mund ta ngrenë edhe në takimet që jemi. Ajo që më shqetësoi për edukatoren, duke patur edhe psikologen brenda kopshtit dhe nëse një fëmijë qan, duhet të komunikojë edhe me psikologen”, tha ai.

/tvklan.al