STOP – EMISIONI 34 (SEZONI 4)

Emision: 18.10.2018

Të falat e kancelarit austriak dhe dreka e mirë opozitare në Bruksel.

Sot në seancën parlamentare të rradhës, opozita sërish nuk mori pjesë. Pak ditë më parë ishte në Bruksel delegacioni shqiptar, por deputeti socialist Fate Velaj, i ra nga Viena. Ai njoftoi në facebook, se komshiu i tij, kryeministri austriak i përcolli të falat për Edi Ramës. Pas mbërritjes në Bruksel, opozita e kryesuar nga Genc Pollo, braktisi edhe atje seancën, pasi nuk pranoi, që seanca të bashkëdrejtohej nga Taulant Balla. Në këto kushte, fshikullimi i zyrtares europiane, nuk e ka kursyer opozitën shqiptare. Monika Makovej tha, se është e papranueshme, që demokratët vajtën në Bruksel me paratë e shqiptarëve, i futën dhe një drekë të mirë dhe dolën nga seanca e diskutimit për vendin e tyre.

Cudia në Kurbin, aplikoi për armë gjahu e nxorrën grabitës me armë?!

Rrok Vata tregoi në emisionin “Stop” se në Shkurt të këtij viti iu drejtua komisariatit të Kurbinit për të aplikuar për armë gjahu. Por pas procedurave, inspektori Gjon Marku i tha se rezultonte një problem në sistem.

Denoncuesi kujtoi se në vitin 2011, motra e kishte telefonuar rreth orës 01:00 të mesnatës, duke i kërkuar ndihmë, pasi po e grabisnin.

“Marr në telefon policinë, në një kohë kur e kam gjetur motrën dhe burrin e saj të mbyllur në dhomë. Keqbërësi kishte qëlluar me pistoletë, kishte shpuar derën prej druri dhe motrën e kishte ciflosur në krah. Grupi i gatshëm, që s’mund t’i them grup i gatshëm, erdhi rreth orës 07:00 të mëngjesit”, rrëfeu Vata.

Ai shtoi se kur po bëhej ekpertiza, u largua për në punë dhe se nuk ka qenë kur e motra dhe bashkëshorti i saj kanë deklaruar rreth ngjarjes. Pas hetimeve, grabitësi me armë nuk u gjet.

Kur aplikoi për lejen e armës, inspektori i Krimeve, Gjon Kola i tha se rezultonte në sistem që ai kishte grabitur me armë në banesën e motrës dhe kunatit Tom Struga.

“Më lexon në sistemin e policisë: Rrok Nikollë Vata pjesëmarrës me grup të armatosur në vjedhjen e shtëpisë së Tom Strugës, burri i motrës sime. Unë jam ai që njoftova policinë, unë jam hajduti. Për këtë ngjarje as nuk më thirri njeri dhe as nuk më pyeti njeri. Po të mos kisha aplikuar për lejen e armës së gjahut, kjo do të mbetej e fshehtë”, u shpreh denoncuesi.

Në prokurori, Gjykatën e Rrethit Kurbin dhe Drejtorinë e Burgjeve, ku u interesua Vata rezultonte i pastër. Ai tregoi se të gjithë dokumentacionet ia ka paraqitur Policisë së Kurbinit, por asgjë nuk ka ndryshuar.

“Unë në të vërtetë kërkoja një leje arme gjahu, por më doli ky problem. Tanimë e kam harruar problemin e armës që kërkoj dhe ajo të bëhet, por më madhore dhe më problematike kam këtë njollë të zezë, që më është vënë mbi shpatulla dhe s’e mbaj dot. Shkollën unë e kam mbaruar për të qenë mësimdhënës e edukator dhe jo hajdut me armë”, u shpreh i shqetësuar Vata.

Gazetarja e emisionit “Stop” sëbashku me denoncuesin iu drejtuan Policisë së Kurbinit për të marrë informacion në lidhje me këtë çështje nga inspektori Gjon Marku. Ky i fundit mohoi çka i ishte thënë Rrok Vatës në lidhje me precedentin dhe kërkoi kohë për ta diskutuar këtë çështje me shefin.

Gazetarja – Juve jeni Gjon Marku?

Inspektori Gjon Marku – Po!

Gazetarja – Unë jam Odeta, gazetare nga emisioni “Stop”, kemi edhe qytetarin Rrok Vata. Qytetari ka ardhur këtu që të aplikojë për një armë gjahu dhe i kanë thënë që nuk të takon ta marrësh sepse nuk plotëson kriteret, sepse në sistem del hajdut. Vajtëm tek Prokuroria dhe Gjykata e Rrethit, por nuk ka asnjë dëshmi penaliteti. Nuk ka asnjë proces gjyqësor, domethënë nuk ka proces penal në ngarkim. Kjo është dëshmia e penalitetit, i pa dënuar.

Inspektori Gjon Marku – Të bisedoj me shefin dhe do të jap një sqarim!

Gazetarja – Ok!

Sekretarja – Mund të flisni me atë që merret me pranimin e dokumenteve….

Gazetarja – Kush merret?

Sekretarja – Ja pra, ai zotëria (Gjon Marku).

Gazetarja – Për armët e gjahut?

Sekretarja – Po!

Gazetarja – Tani zotëri, unë ndoqa të gjithë procedurën. Erdha fillimisht tek juve, më drejtuat tek shefi. Edhe sekretarja e shefit dhe të gjithë flasin që ju jeni personi kompetent.

Inspektori Gjon Marku – Të… të komunikoj të lutem me shefin pak vetë?

Gazetarja – Po hajde mo, se është rast i joti. Komuniko ti me shefin…!

Inspektori Gjon Marku – Unë e kam bërë detyrën time. Të komunikoj me shefin dhe do të përgjigjem!

Gazetarja – Po të lutem tashi, i ke thënë Rrok Vatës që nuk plotëson kriteret. Pse? Një arsye…

Inspektori Gjon Marku – Të lutem! Unë nuk të jap përgjigje, pa komunikuar me shefin!

Gazetarja – Zotëri! Pse i ke thënë që ka precedent? Zotëria është i pastër edhe sipas gjykatës.

Inspektori Gjon Marku – Jo, s’është e vërtetë! S’është e vërtetë që kam bërë këtë konferencë.

Gazetarja – Pse nuk ia jep pra armën e gjahut? E ke edhe dëshminë e burgjeve këtu nga Ministria e Drejtësisë, e ke të padënuar.

Inspektori Gjon Marku – Të komunikoj me shefin, o ti motër… të lutem të komunikoj me shefin këtu e të jap përgjigje!

Gazetarja – Po të lutem hajde se tani unë s’do të vij mbrapa!

Inspektori Gjon Marku – Por edhe unë tani, më vjen keq, por do të komunikoj me shefin. Do të jap përgjigje në sekondë!

Gazetarja – Po të pres këtu!

Inspektori Gjon Marku – Ok!

Por vetëm pak minuta pas bisedës me inspektorin Gjon Marku, gazetarja e emisionit “Stop” komunikoi me vetë shefin e Krimeve, Pashk Përvata.

Gazetarja – Ka aplikuar për një leje arme gjahu dhe pasi ka bërë të gjithë procedurën, në fund fare i është thënë që nuk i plotëson kriteret.

Shefi Pashk Përvata – Të gjithë qytetarëve, që aplikojnë për armë gjahu u përgatitet një dosje, ku ndodhet i gjithë informacioni. I pari është vetëdeklarimi. Nga certifikata elektronike del që me këto të dhëna personi ka dalë në sistem.

Gazetarja – Ta shohim sistemin, të lutem?

Shefi Pashk Përvata – Jo, s’e kam atë target.

Gazetarja – Po pse figuron me precedent, more zotëri? Unë kaq po të pyes! Ti si komisariat mund të na vësh në dijeni. Të paktën, ke detyrim ligjor të informosh qytetarin, more zotëri, sepse ai ka bërë kërkesa të vazhdueshme.

Shefi Pashk Përvata – Në lidhje me këtë, ne gjithë praktikën e kemi dërguar në Drejtorinë e Përgjithshme Qarku Lezhë dhe ato vendosin nëse zotëria i plotëson kushtet për t’u pajisur me leje gjahu, apo nuk i plotëson.

Gazetarja – Afati për të dalë kjo përgjigje?

Shefi Pashk Përvata – Po ne dje e kemi dërguar materialin në Lezhë.

Gazetarja – Aplikimi ka shumë kohë, që është bërë.

Shefi Pashk Përvata – Ai mund të thotë që kam edhe 2 vjet që e kërkon, por unë po flas për…

Gazetarja – Jo. Flasin aplikimet. Ato janë çdo gjë në sistem, ka numër protokolli, ju i verifikoni.

Shefi Pashk Përvata – Po patjetër!

Gazetarja – Zotëria ka 8 muaj që interesohet për këtë armë. Po mirë pra, ka kohë aplikimi që është bërë.

Shefi Pashk Përvata – Ju përshëndes! Ju uroj punë të mbarë! Gjithë të mirat!

Gazetarja – Ok!

Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua shtëpisë së të motrës së denoncuesit, Dilore Strugës për ta pyetur në lidhje me ngjarjen e vitit 2011. Ajo rrëfeu se është shumë e shqetësuar për akuzën që i është bërë të vëllait.

“Pas kaq vitesh marrim vesh që Policia e Kurbinit na akuzon vëllain tim si bashkëpunëtor në vjedhje. Kjo më është dukur çudia më e madhe! Asnjë lloj denoncimi nuk kam bërë”, u shpreh zonja Dilore.

Po ashtu, bashkëshorti i saj Tom Struga pohoi se nuk është bërë asnjë denoncim prej tyre ndaj Rrok Vatës, përkundrazi ai i ka ndihmuar duke i mbështetur dhe duke lajmëruar policinë.

Por kush e ka denoncuar Rrok Vatën? Këtë mund ta verifikonte vetëm Policia e Lezhës.

Zëdhënësja e policisë, Esmeralda Prela tha: “Ne kemi një bashkëpunim, Ministria e Arsimit me Policinë e Shtetit dhe është bashkëpunimi shkollë-polici. Jam në shkolla. Le një kërkesë me shkrim pë problemin që ka zotëria. Numrin tim e ke, unë do ta marr kërkesëm. Do ia dërgoj oficerëve përkatës, do ta sqarojmë si situatë dhe do të bëjmë një përgjigje”.

Gjatë kohës që gazetarja po formulonte kërkesën për informacion, një punonjës i policisë mori veçmas denoncuesin, duke i kërkuar “llogari” se përse lajmëroi emisionin “Stop” dhe nuk kërkoi zgjidhje te ta. Por i përballur me gazetaren, ai u largua duke thënë se do të kthenin përgjigjen zyrtare.

Punonjësi i Policisë – Pse s’erdhe me Ankona të thërrisje Gjon Kolën (ish shefin e Krimeve), më të mëdhenj se unë, me e ndjek me rrugë institucionale, me ardh te Drejtori, me u anku me e bë tamam. Unë do të kryej punë!

Gazetarja – Kush jeni juve? A mund të zgjidhet rasti i qytetarit?

Punonjësi i policisë – Do t’ju kthejmë përgjigje zyrtarisht!

Gazetarja – Po mirë kur kthen përgjigje zyrtarisht, mos e kap privatisht qytetarin të paktën!

Punonjësi i policisë – Jo, unë nuk e kam dit. Tani e mora vesh.

Policia e Lezhës ktheu përgjigjen zyrtare, ku thuhej: “Shtetasi Rr. V., 68 vjeç, ka aplikuar në Komisariatin e Policisë Kurbin për pajisje me autorizim për blerje/mbajtje armë gjahu në datë 12.02.2018. Nga verifikimi i dokumentacionit u konstatua se kishte tejkalim të afateve, me përgjegjës specialistët në Komisariatin e Policisë Kurbin. Komisioni i shqyrtimit të kërkesave për dhënie/revokim të blerjes së armës së kategorisë C vendosi dhënien e së drejtës që shtetasi të pajiset me autorizim për blerje/mbajtje arme gjahu, autorizim të cilin mund ta tërheqë pranë Komisariatit të Policisë Kurbin. Gjithashtu, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, pas konstatimit të shkeljeve ligjore ka filluar hetim disiplinor për personat përgjegjës në Komisariatin e Policisë Kurbin”.

Gjyqtarët e Vlorës shkelin ligjin, thërrasin psikologë pa licensë.

Në bazë të ligjit, asnjë person nuk mund të ushtrojë profesionin e psikologut, pa qenë i pajisur me licensë nga Urdhri i Psikologut. Kjo vlen për sektorin publik dhe privat.Por gjyqtarët e Vlorës, Mirela Mishgjoni dhe Arqile Basho, e kanë shpërfillur këtë ligj, duke thirrur dy psikologe pa arsimin përkatës dhe pa licensë, Alda Bice dhe Elisa Tashkollari.Kryetarja e Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska, ka vënë në dijeni Gjykatën e Vlorës, për këto 2 psikologe, por dy gjyqtarët Mishgjoni e Basho, vazhdojnë t’i thërrasin në cështjet e tyre.Gazetarja e “Stop” ve në dijeni për këtë shkelje, kancelaren Rezarta Taushani dhe kryetarin e gjykatës, Skënder Haluci, të cilët thonë, se i kanë njoftuar gjyqtarët në fjalë, por vendimi është kompetencë dhe përgjegjësi e tyre.

Kategori
STOP
0 Komente

Përgjigju

*

*