STOP – EMISIONI 43 (SEZONI 4)

Emision: 31.10.2018

Kamera e fshehtë e “Stop”, hiqet nga puna kryeinfermierja që mori ryshfet.

Mbrëmjen e së martës në emisionin “Stop” u transmetua korrupsioni në spitalin e Cërrikut, për marrjen e Kempit. Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” tregoi me zë dhe figurë sesi mund të sigurohet Kempi që të takon, me para nën dorë.

Historia që u trajtua ishte ajo e një pacienteje, e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor. Familjarët e saj kontaktuan me kryeinfermieren Shpresa Pëllumbi, e cila kërkoi 100 mijë lekë të vjetra, duke marrë përsipër rolin e sekseres për t’i siguruar lidhjen e Kempit zonjës së sëmurë. Vetëm pasi familjarët dorëzuan paratë, pacientja u paraqit para komisionit dhe me firmën edhe të mjekut Sokol Preçi arriti të sigurojë Kempin.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pas transmetimit të këtij rasti nga emisioni “Stop”, e cila njoftoi shkarkimin e kryeinfermieres Shpresa Pëllumbi.

Skandali, Gjykata i merr fëmijën e ua jep gjyshërve, alarmi i psikologëve.

Në muajin 18 Tetor të vitit 2017, emisioni “Stop” transmetoi historinë e Ajet Patozit. Për shkak të një sëmundjeje të rëndë, bashkëshortja e tij ndërroi jetë. Por si të mos mjaftonte kjo dhimbje për Ajetin, vjehrrit e tij i morën djalin 3-vjeçar, Aleksandros, duke mos e lejuar më ta takonte.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me gjyqtare Matilda Llangozin, pasi e shtyu 28 herë seancën gjyqësore, vendosi që foshnja të qëndronte me gjyshërit nga nëna, Kujtim dhe Drita Tana, duke u bazuar në interesin më të lartë të fëmijës. Gjithashtu vendosi që i ati ta takojë fëmijën e tij të dielën e parë të çdo muaji nga ora 10:00 deri në orën 15:00, në prezencën e gjyshit Kujtim Tana.

Ndërsa Gjykata e Apelit Vlorë e hodhi poshtë këtë vendim dhe vendosi që fëmija t’i kthehet të atit për rritje dhe edukim, duke u bazuar në raportin e psikologëve, por edhe në atë çfarë parashikon ligji i Republikës së Shqipërisë.

Por gjyshërit e Aleksandrosit kërkuan pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi në Gjykatën e Lartë. Në lidhje me këtë, avokati i Ajet Patozit u shpreh: “Për ironi të fatit dhe për keqinterpretim të ligjit nga ana e Gjykatës së Lartë, është pranuar kjo kërkesë”.

Më 4 Tetor 2018, Gjykata e Lartë vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë, duke ia rikthyer të drejtën e kujdestarisë gjyshërve Kujtim dhe Drita Tana.

Emisioni ”Stop” siguroi vlerësimet e psikologëve, të cilat kanë vënë re fenomene të rrezikshme në sjelljen e gjyshërve karshi 4-vjeçarit. Ekspertët vërejnë se Aleksandrosi po konsiderohet dhe trajtohet si vajza e vdekur e tyre, duke dëmtuar fëmijën.

Psikologia 1 – Aleksandro ka nevojë emergjente të lëvizë nga ai ambient. Aleksandro, përveç që ka përjetuar humbjen e nënës, një figurë shumë të rëndësishme dhe Aleksandro ka qenë në një moshë shumë të vogël, pavarësisht moshës sigurisht që ai e ka ndjerë këtë dhimbje, e ka përjetuar traumën në mënyrën e vet. Pjesa tjetër është që Aleksandros i është mohuar babai dhe nuk i është lejuar të ketë marrëdhënie vetjake me një figurë tjetër të rëndësishme, siç je ti.

Djali ka një frenim shumë të madh emocional. Tek pjesa, sa mbaj mend, më ka mbetur pjesa që e thërrisnin Ajlin… pra që gjatë gjithë kohës, qoftë gjyshja apo qoftë edhe gjyshi, shihnin ose mishëronin tek djali, vajzën e tyre. Në konceptin e tyre, ata nuk mundet dot ta pranojnë që Aleksandro është fëmijë i yti dhe i vajzës së tyre.

Ajet Patozi – I vajzës, po!

Psikologia 1 – Ata për mua, Aleksandron vazhdojnë ta shohin si një lloj objekti që u përket atyre, duke të anashkaluar fare.

Ajet Patozi – Po, po!

Psikologia 1 – Kemi një gjysh që është shumë protektiv dhe me tipare agresive. Aleksandro nuk është lejuar që të shprehë emocionet. Duke pasur një figurë gjatë gjithë kohës kaq protektive, kaq agresive, që ti do bësh si të them unë, këtu jam unë, këtu është “babo”, që në fakt është gjyshi.

Ajet Patozi – Po!

Psikologia 1 – Dhe ashtu sikurse e kam cituar dhe në raport, Aleksandro nuk ka nevojë, përveç fatkeqësisë që i humbi nëna, por Aleksandri ka një baba… duhet të rritet me modelin e familjes.

Ajet Patozi – Po, atë që… mbushi 3 vjet, domethënë, disa ditë më përpara, para 6 ditëve 3 vjeç, e kanë marrë ata nga data 12 Tetor 2015.

Psikologia 1 – Aleksandri ka nevoja emergjente të lëvizë nga ai ambient.

Psikologia 2- Ajo që konstatova në takimin e parë në këtë familje dhe lidhjen që kishte krijuar fëmija me gjyshërit, por edhe me babain, ishte një nga problematikat më të rëndësishme, që duhet sigurisht të merren masa menjëherë është fakti që në atë shtëpi kishte një baba dhe një mama. Fëmija i thërriste gjyshit, baba dhe nënës, gjyshes së vet, mami. Që do të thotë që këtu kemi një konfuzion rolesh dhe fakti që ai fëmijë rritet në një mjedis patologjik. Një problematikë tjetër ishte fakti që fëmija sigurisht edhe në… i ishte mohuar e drejta për të vendosur kontakte me babain, i cili është gjallë dhe kërkon që të kujdeset dhe ka një vendim të gjykatës dhe apelit për këtë dhe ka plotësisht të drejtën, po themi si prind që të prindërojë. E para, problem me personalitetin e tij. E dyta, kemi probleme të dukshme emocionale tek fëmija, ngarkesat e tij të herëpashershme ose shpërthimet e tij të herëpashershme, zëri i holluar i Aleksandros sigurisht, që…

Gazetari- Pse i holluar?

Psikologia 2 – Në psikologji ka një shpjegim të mundshëm që mund të lidhet me abuzimet, pra dhunën psikologjike, nuk mund të flas për dhunë fizike, përderisa nuk e konstatoj, por njëkohësisht edhe për faktin që ata mund ta trajtojnë vërtetë si vajzën e tyre. Ai është mashkull dhe trajtohet si vajzë.

Përpos raporteve të psikologeve, Gjykata e Apelit vendosi që Aleksandros të qëndrojë më gjyshërit, duke ia hequr kujdestarinë të atit.

Por si mund të sillet një fëmijë përballë të atit, të cilin nuk e njeh si të tillë? Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” solli përballjen e Ajetit me të birin.

Babai – S’do të rrish me mu, po çfarë të kam bërë unë ty?

Fëmija- Ëhë…

Babai – Pse re? Unë jam i mirë, hajde të të përqafoj një çikë unë!

Gjyshja – Kush është ai?

Babai – Do të sjell Ergin, të takojë kushuriri.

Gjyshja – Është Ajet Patozi!

Fëmija – Epo mirë, do të përqafoj dhe pastaj do ikësh ti!

Babai – Do më përqafosh një herë dhe pastaj do iki?

Fëmija – Po!

Babai – Hajde! Fort? Hajde!

Gjyshja – Hë më!

Babai – Oh të keqen, oh të keqen! Ke guxhuli ti? Hajde të puth çikë prapë unë, do të ta sjell unë biçikletën ty. Hajde të të puth një çikë unë të keqen! Oh, të keqen!

Fëmija – Po ti ke fëmijë?

Babai – Kam fëmijë?

Fëmija – Po!

Babai – Kam!

Fëmija – Po kë ke?

Gjyshja – Po s’di gjë, ai është…

Babai – Kam… kë kam fëmijë unë?

Gjyshja – S’e di!

Fëmija – Mua!

Babai – Ty?

Fëmija – Ëhë!

Babai – Ë ere hajde, ti! Unë kush jam?

Fëmija – Nuk e di.

Babai – Po kur të kam ty fëmijë, unë kush jam?

Fëmija – Nuk e di!

Babai – Po unë jam babi, hajde, hajde të puth një çikë unë! Hajde rrimë këtu ne!

Fëmija – Jo!

Babai – Hajde mooo…!

Fëmija – Po do ikësh ti?

Babai – Po do iki sot unë, do vij prapë të takoj ty!

Fëmija – Epo, mirë!

Babai – Ça do ti, të të bjeri babi?

Fëmija – Nuk e di! Po, po, po kur ikja gjithmonë unë me autobus më zinte autobusi.

Babai – Të zinte autobuzi ty e?

Fëmija – Ëhë.

Babai – Oh, të keqen! Po pse të ze ty? Të ze si babi ty, se edhe babin e zinte autobusi.

Fëmija – Kur ishe i vogël ti?

Babai – Eee…

Fëmija – Po, po ti kishe nënë?

Ajet Patozi i bëri thirrje Gjykatës së Apelit, Presidentit dhe Ministrisë së Drejtësisë për rishqyrtimin e çështjes së kujdestarisë së djalit të tij 4-vjeçar, duke thënë: “Ai fëmijë nuk mund të jetojë me gjyshërit kur babai është gjallë dhe e kërkon me shumë dashuri!“.

Dushk-Lushnje/ shkolla mbyllet në tetor: ka punime, nuk ka libra.

“Stop” është ndalur në njësinë administrative Dushk të Lushnjes. Shkolla 9 vjecare dhe gjimnazi janë në të njejtën godinë, por prej një jave nuk zhvillojnë mësim. Në hyrje të shkollës ka një tabelë, që njofton kryerjen e punimeve.Drejtori i arsimit në bashki, Muharrem Sharka thotë, se punimet duhet të ishin bërë më herët, por financimi, miratimi në këshillin bashkiak dhe prokurimi kërkojnë kohë dhe shtynë procesin.Drejtuesja e ZA Lushnje, Brunilda Dhamo, shpjegon, se mësimi do të zëvendësohet në ditët e shtuna.Vec kësaj në klasën e 6-të mungojnë tekstet e historisë, biologjisë dhe gjeografisë, që u sollën brenda 24 orëve nga njoftimi i gazetares së “Stop”.

Kategori
STOP
0 Komente

Përgjigju

*

*