Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu prezantuan sot platformën e re “Mjekë për Shqipërinë” për aplikantët që kërkojnë të punësohen në sistemin shëndetësor në vendin tonë.

Por emisioni “Stop” në Tv Klan ka sjellë rastin e një studenteje ekselente të diplomuar në Universitetin e Pavia në Itali, ku ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master me rezultate të larta. Rajmonda Rrapaj, mamaja e studentes, tregon gjithë burokracitë që po has e bija për një punë në Shqipëri. Në Universitetin e Mjekësosë kishte 4 vende të lira pune dhe studentja aplikoi për 3 pozicione, duke përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara. Megjithatë, kishin kaluar 20 ditë nga aplikimi dhe ende vajza nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

Rajmonda Rrapaj, e ëma e studentes: Vajza ime ka mbaruar studimet në Universitetin e Pavia 3+2. Ka mbaruar me vlerësim maksimal. Duke parë vlerësimin që po u bëhet studentëve ekselentë, punësimin e studentëve ekselentë, aq më tepër ata që vijnë nga jashtë, menduam që të kthehet, edhe për arsyet tona familjare. Në datën 2 Prill pamë që në Universitetin e Mjekësisë ishin hapur 4 pozicione pune për laborante. Përshtypja e parë që më bëri, që nuk m’u duke shumë transparente, ishte fakti që aplikohej vetëm me dosje tek zyra e protokollit, jo online. Ju përgjigjëm për të tëra, siç duhej. Vajza ka aplikuar për 3 pozicione. Në datën 12 Prill ishte data e fundit e mbylljes së aplikimeve. Dhe nuk kemi asnjë përgjigje. Nuk është thirrur as për fazën e intervistës. Jemi drejtuar me disa emaile sekretarisë së universitetit. Na thonë vetëm kaq, që është një komision që merret me vlerësimin e dosjeve. Ka mungesë transparence dhe objektiviteti.

Znj.Rajmonda Rrapaj u interesua pranë zyrës së Burimeve Njerëzore të Universitetit të Tiranës për të marrë informacion lidhur me aplikimin e vajzës. Aty i thonë se duhet të mblidhet fillimisht komisioni që të shqyrtonte dosjet, dhe më pas personat që kanë bërë aplikim do të njoftoheshin. Mirëpo, edhe pse kishin kaluar të gjitha afatet e përcaktuara nga vetë Universiteti, komisioni i përbërë nga 3-5 anëtarë nuk ishte mbledhur.

Burimet Njerëzore: Për çdo vend pune ngrihet një komision, që i vlerëson.

Denoncuesja: Këtë e dimë! Ma kanë thënë të tërë nëpër e-maile.

Burimet Njerëzore: …që përbëhet zakonisht nga 5 veta maksimumi dhe minimumi 3 veta.

Denoncuesja: Kanë kaluar 20 ditë…

Burimet Njerëzore: Tashi rregullat keni ndërmend, t’i caktoni juve, apo i vënë ata?

Denoncuesja: Jo, jo! Nuk caktoj rregulla, i zbatoj rregullat!

Burimet Njerëzore: Po zbatoji atëhere! Unë po të them mos cakto data kot ti, se s’të takon fare të caktosh data!

Burimet Njerëzore: Komisioni kur të mblidhet, ne gjithmonë i lajmërojmë kandidatët, qoftë ata që vijnë për intervistë, qoftë ata,që nuk thirren, domethënë. Përderisa s’keni marrë akoma përgjigje, do të thotë që komisioni nuk është mbledhur dhe nuk i ka parë dosjet.

Gazetarja e “Stop” u takua edhe me Sekretaren e Dekanit të Universitetit të Mjekësisë, për shkak të mungesës së këtij të fundit.

Gazetarja: Vendet që janë hapur vakante, konkurset, që janë hapur për laborante në këtë Universitet.

Sekretarja:  Nuk di të të them tashi edhe kancelarin nuk e kemi, është me leje. Ndërsa profesori sapo na doli, është në Ministri.

Megjithatë, pas interesimit të emisionit “Stop” për këtë çështje, duket se gjërat filluan të lëviznin. Zyra e Burimeve Njerëzore të Universitetit të Mjekësisë u dërgoi email të gjithë aplikantëve, duke i vënë në dijeni se ka filluar shqyrtimi i dosjeve të tyre. /tvklan.al