Një studim i ri ka dalë në konkluzionin se fëmijët kanë më pak mundësi që të preken nga Covidi i rëndë pasi qelizat në hundën e tyre janë më të mira në luftimin e virusit. Testet laboratorike tregojnë se qelizat e një hunde të rritur përmbajnë 100 herë më shumë virus në ditët e para pas marrjes së një infeksioni.

Zbulimi i fundit mund të shpjegojë pse të rriturit dhe të moshuarit janë goditur më keq nga Covid, ndërsa sa i takon fëmijëve, ka pak raste kur janë shumë të sëmurë. Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar thonë se trajtimet antivirale duhet t’u përshtaten grupmoshave të ndryshme.

Studiuesit analizuan qelizat nga mukoza e hundës të njerëzve të shëndetshëm nga tre grupmosha të ndryshme – nën 12 vjeç, 30-50 vjeç dhe mbi 70 vjeç. Më pas, ata rritën qelizat e hundës në enët laboratorike, i infektuan me koronavirus dhe i vëzhguan nga afër.

3 ditë më vonë, të parë nën një mikroskop, qelizat e marra nga fëmijët u mbrojtën shpejt kundër virusit. Por ky efekt mbrojtës ishte më pak i dukshëm tek të rriturit e moshës së mesme. Dhe në qelizat e hundës nga vitet mbi 70, kishte më shumë virus dhe më shumë dëmtime.

“Mosha ndikon në ekuilibrin e qelizave në hundë duke çuar në një proces të dëmshëm dhe jofunksional riparimi tek të moshuarit”, tha Dr. Claire Smith, udhëheqëse e studimit dhe profesoreshë e asociuar nga University College London.

Rreziku për t’u prekur në mënyrë të rrezikshme me Covid rritet me kalimin e moshës, kjo është arsyeja pse personave mbi 75-vjeç u rekomandohet vaksinimi./tvklan.al