Kur dëgjojmë për rënien e flokëve, automatikisht mendja na shkon te burrat të cilët e vuajnë si fenomen edhe në moshë të re. Por rënia e flokëve është kthyer në një gjë të zakonshme dhe tek 50% e vajzave apo grave. Arsyet që mund ta shkaktojnë janë të shumta dhe mënyra e vetme për ta reduktuar është të zbuloni se çfarë e shkakton atë.

Cilat mund të jenë shkaqet?

Shumë njerëz kanë një predispozitë gjenetike për rënien e flokëve. Ndryshe nga meshkujt, femrat priren të mos humbasin flokët në pjesën e përparme, por flokët e tyre bëhen më të hollë. Hormonet gjithashtu luajnë një rol shumë të rëndësishëm. Estrogjeni ka një efekt pozitiv në rritjen e flokëve dhe mund të zgjasë fazën e rritjes. Gjatë shtatzënisë, kur nivelet e estrogjenit janë të larta, gratë shpesh kanë flokë më të trashë. Nga fundi i tremujorit të tretë, nivelet e estrogjenit bien dhe nivelet e kortizolit (hormoni i stresit) rriten. Kombinimi i këtyre shpesh çon në rritjen e rënies së flokëve në muajt pas shtatzënisë. Gratë gjithashtu mund të përjetojnë rënie të flokëve ndërsa i afrohen apo përjetojnë menopauzën.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është psikologjia, pasi folikulat e flokëve janë të ndjeshëm stresit.
Humbja e flokëve shpesh mund të nisë tre deri në gjashtë muaj pas shfaqjes së stresit, duke e bërë ndonjëherë të vështirë përcaktimin e shkakut. Nëse është vetëm një periudhë e përkohshme stresi, rritja e flokëve zakonisht kthehet brenda pak muajsh.

Disa mënyra të thjeshta për të parandaluar rënien masive të flokëve:

-Shmangni tërheqjen e flokëvve

Janë shumë modele që krijojnë tendosje të flokëve nga skalpi dhe me kalimin e kohës ato do të bien.

-Përdorni sa më rrallë mjete stilimi që kanë nxehtësi të lartë.

Tharëse flokësh, shufra për kaçurrela e të tilla si këto mund të dëmtojnë shumë flokët tuaj.

-Mos i trajtoni me kimikate!

Mirë është që mos të aplikoni bojë në flokët tuaj, apo zbardhues sepse rrezikoni që të humbisni një pjesë të flokëve e cila do kohë dhe trajtim për t’u kthyer në gjendjen e mëparshme. Ndonjëherë, dëmi është i pandreqshëm.

-Përdorni shampon e duhur

Qëllimi i shampos është të pastrojë flokët tuaj nga papastërtia dhe vaji i tepërt. Por nëse shihni se flokët tuaj edhe pas larjes janë shumë të thatë, atëherë ndërroni shampo dhe gjeni atë të përshtatshmen për ju.

-Përdorni një furçë të butë

Përdorimi i një furçe të butë me fibra natyrale për krehjen e flokëve ndihmon shumë kutikulat e flokëve tuaj.

-Uji i ftohtë është i mirë për flokët

Kur lani flokët, këshillohet përdorimi i ujit të ngrohtë ose të ftohtë. Jo uji i  nxehtë!

-Provoni terapinë me dritë të nivelit të ulët.

Terapia me dritë të nivelit të ulët promovon rritjen dhe riparimin e qelizave. Është një trajtim potencialisht efektiv. Megjithatë kjo terapi mund të jetë pak e shtrenjtë, përshembull në shumë klinika kostoja vjetore e saj shkon deri në 5 mijë dollarë. Sugjerohet në rast se keni humbje të mëdha të flokëve.../tvklan.al