Vlorë, 15 Maj 2017 – Kontrollet për lëndë trafik të lëndëve narkotike, kanë çuar në zbulimin e për pasojë bllokimin e dy mjete lundruese në Vlorë.

Burime zyrtare njoftojnë se rreth orës 11:00, në lagjen “11 Janari”, brenda në një ish – magazinë pranë zonës së quajtur “Pusi i Mezinit” është gjetur një gomone me gjatësi 7.8 m dhe gjerësi 2.9 m, me 2 motora të markës “Merkuri” dhe “Suzuki”.

Ndërsa pak më vonë, rreth orës 13:00, në zonën e Dhërmiut, rreth 2.5 milje larg bregut të detit është gjetur një skaf plastik, me gjatësi 6 m dhe gjerësi 2.1 m, me 1 motor të markës “Yamaha”. Ky i fundit u gjet i ndezur, por pa persona në bord.

Policia sqaron se në bazë të hetimeve dyshohet se dy mjetet lundruese mund të përdoreshin për trafikimin e lëndëve narkotike me destinacion Italinë.

Ndërkohë, autoritetet në Vlorës vijojnë kontrollet e territorit tokësor dhe ujor me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve përgjegjës në lidhje me këtë veprimtari kriminale./tvklan.al