Shembullin e socialistëve për të zhvilluar bisedime mbi kodin elektoral dhe koalicionet e mundshme zgjedhore e kanë ndjekur dhe krerët e dy partive të vogla opozitare, Milo e Ceka.

Ende të paqartë se me kë parti do të pozicionohen për të dalë në koalicion në zgjedhjet e 2009-tës ata kanë preferuar të bisedojnë me njëri-tjetrin përpara se të nisin negociatat me Partinë Socialiste apo Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Pas takimit të zhvilluar në ambientet e një prej hoteleve më të njohura në kryeqytet larg zyrave apo ambienteve të kuvendit Milo dhe Ceka kanë lënë sërish të hapura të gjitha mundësitë e bashkëpunimit.

Neritan Ceka: “Përfunduam që votat tona, forcat tona janë një faktor i rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme, mund të jenë dhe bazë e një poli të tretë, por dhe një partnership i ndershëm dhe i barabartë me grupimet e mëdha politike. Kodi zgjedhor do t’i sqarojë pozitat tona. Kemi natyrisht një përvojë pozitive me Kasharin edhe me LSI-në dhe mendojmë që është një bashkëpunim që ka një të ardhme.”

Paskal Milo: “Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar me të gjithë ata që na konsiderojnë partnerë. Theksoj dhe të qartësoj koalicioni “E majta për integrim” nuk ka qenë një koalicion i mbështetur në marrëveshjet drejtpërdrejt zyrtarëve të dokumentuar. Ajo çka ka ekzistuar dhe ekziston në marrëdhëniet tona me Lëvizjen Socialiste për Integrim është bashkëpunimi në mbrojtje të kushtetutës”.

Ceka ka lënë të hapur gjithashtu dhe mundësinë e afrimit të forcës së tij politike me demokratët, bashkëpunim për të cilin po flitet shumë kohët e fundit.

Ndërsa Milo ka pohuar sërish si një ditë më parë se ka pranuar ftesën e socialistëve për të biseduar mbi një bashkëpunim të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme, Ceka ende nuk e ka bërë të ditur qëndrimin e tij./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka