Taksat e reja dhe rritja e disa tarifave kryesore rrezikon shtrenjtimin e jetesës gjatë këtij viti. Mbajtja e inflacionit në kontroll, në nivelet e parashikuara prej 4%, do të jetë një sfidë për qeverinë. Buxheteve famijare, gjatë këtij viti, do t’i shtohen fatura më të larta të telefonisë fikse dhe energjisë elektrike, por edhe taksat e reja mbi naftën dhe makinat. Drejtoresha e INSTAT-it, Milva Ekonomi, konsideron se më problematik mund të shfaqet transferimi i rritjes së çmimit të energjisë në produktet ushqimore, që zënë dhe pjesën kryesore në konsumin familjar.

Milva Ekonomi: “ Energjia elektrike, nga ana tjetër, ka kontributin e vet në prodhimin e disa produkteve që konsumon familja, një nga këto produkte është edhe buka, e cila ka një peshë të konsiderueshme brenda indeksit, është rreth 8%, që kështu edhe kjo ka ndikimin e vet. Nga an atjetër dhe shërbimet, që kanë lidhje me telefoninë celulare apo me telefoninë fikse, kanë influencën e vet në inflacion, sikurse dhe çmimi i lëndëve të tjera djegëse, që do të ketë ndikimin e vet në inflacion. Viti 2004 do të jetë një sfidë për inflacionin.”

Gramaoz Pashko mendon se rritja e këtyre çmimeve mund të mos transmetohet tek inflacioni.

Gramoz Pashko: “Kur një çmim është i lartë atëherë edhe kërkesa për të bie, d.m.th. nuk është e thënë që njerëzit do të shkojnë ta përdorin atë mall, do të kemi një pakësim të përdorimit të telefonisë, do të kemi një pakësim të, konsumit të energjisë për shkak të rritjes së çmimit. Ky është një reagim normal i tregut ndaj ngacmimeve që mund t’i jepen kërkesës ose oferteës në anën tjetër.”/tvklan.al