“Vrava për t’u hakmarrë për vëllëzërit në Siri”.

Ishte ky reagimi i parë i Cherif Chekkat, 29-vjeçarit që sulmoi tregun e Krishtlindjeve në Strasburg, duke shkaktuar 3 viktima dhe 14 të plagosur. Terroristi përdori një taksi për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe dëshminë ia dha taksistit. Ky i fundit tha për “Le Parisien” se është ende gjallë pasi i kishte thënë agresorit se është mysliman praktikant.

Prej 2 ditësh, autoritetet franceze kanë nisur një gjueti të vërtetë për kapjen e Chekkat. Më shumë se 750 policë e oficerë të xhandarmërisë janë vënë në kërkim të Cherif Chekkat, i kthyer në njeriun më të kërkuar në Francë.

Përpara gjykatësit francezë dolën këtë të premte 3 të afërm të tij, 2 prej tyre të mbajtur nën vëzhgim nga anti-terrori. Hetuesit francezë njoftuan të mërkurën se Chekkat ishte një kriminel me të paktën 20 vepra penale dhe person i njohur si radikalist mysliman.

Ende nuk ka të dhëna se sulmi mund të jetë i organizuar nga ndonjë grup terrorist, por dyshimet për një atentat të paramenduar mbeten të mëdha. Vetëm pak minuta përpara ngjarjes, 29-vjeçari kishte marrë një telefonatë nga Gjermania, çka shtyn hetuesit të mendojnë se sulmi mund të jetë organizuar në vendin fqinj. Pikërisht në Gjermani dyshohet se mund të fshihet Chekkat, vend ku më herët është arrestuar për grabitjen e një farmacie.

Tv Klan