Fatkeqësitë natyrore nuk kanë të sosur për japonezët. Pas përmbytjeve vdekjeprurëse, vendi është përfshirë nga vala e motit të nxehtë, që deri më tani ka shënuar 30 viktima.

Me mijëra të tjerë ndodhen nëpër spitale, ku po marrin mjekim për probleme të shkaktuara nga vapa përgjatë dy javëve të fundit.

Sipas asaj që shkruan BBC, më herët gjatë kësaj jave temperaturat shënuan plot 40.7 gradë Celsius në Japoninë Qendrore, më e larta në këto 5 vite.

Në qytetin e Kyoto, temperaturat qëndruan mbi 38 gradë për 7 ditë radhazi.

Ministria e Arsimit atje kërkoi nga shkollat që të merrnin masa për të parandaluar fatkeqësi të ngjashme me atë të së martës në prefekturën e Aichi, ku një 6-vjeçar vdiq pasi nxënësit po bënin në ambient të hapur.

Agjencia meteorologjike u bëri thirrje njerëzve që të pinin sa më shumë ujë. Temperaturat e larta kanë vështirësuar gjithashtu përpjekjet për t’u rikuperuar nga përmbytjet në perëndim të Japonisë, pasi shumë prej vullnetarëve e kanë thuajse të pamundur të punojnë në vapë.

Më shumë se 200 persona humbën jetën më herët gjatë këtij muaji për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut, nga reshjet rekord të shiut.

/tvklan.al