“Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë”, është pikërisht ky koncerti që do të mbledhë tek Amfiteatri i Tiranës më datë 20 Qershor, disa prej emrave më të mirë të muzikës.

Një koncert ky kushtuar Tiranës, skenës së madhe të të gjithë artistëve. Pavarësisht vendit të origjinës, apo daljes së parë përpara publikut, çdo artist të këngës e lidh një kujtim me Tiranën. Në këtë koncert pjesëmarrës do të jenë emra artistësh shumë të dashur të skenës shqiptare si Eranda Libohova, Remzie dhe Nexhat Osmani, Maya, Selami Kolonja, Gili, Lori, Orgesa Zaimi dhe Rovena Dilo.

Për të zbuluar më shumë rreth këtij koncerti ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan Rovena Dilo, këngëtare dhe organizatore e këtij koncerti, Orgesa Zaimi, këngëtare dhe Eraldo Rexho gazetar dhe organizator i këtij koncerti.

“Ideja për realizimin e këtij koncerti ishte e vjetër, por i ri është bashkëpunimi që kam me Eraldo Rexhën sepse është hera e parë. Këtë herë në koncert do të kemi një risi. Të gjithë ata që do të blejnë bileta në këtë koncert do të bëhen automatikisht pjesë e një lotarie. Në fund të koncertit do të japim shumë dhurata të bukura”, tha Dilo.

“Ne kemi realizuar shumë takime për këtë koncert, sepse edhe Rovena ka realizuar një të tillë më parë dhe menduam të bëjmë një aktivitet për Tiranën, ku të mblidhnim artistë të ndryshëm të trevave shqiptare. Të gjithë kanë një kujtim me skenën e Tiranës dhe emrin e menduam pikërisht prej kësaj lidhje. Do të jenë 9 artistë që do të këndojnë. Koncertin kemi menduar ta nisim me këngën “Bjeri Gajdes”, një këngë që të gjithë e dinë. Kemi menduar që këtë koncert ta bëjmë atraktiv në shumë forma, jo vetëm në skenë. Duam që të përfshihet edhe publiku në këtë festë. Qëllimi është që ky koncert të kthehet në traditë dhe të shkoj në disa stacione, Amfiteatri është stacioni i parë”, tha Rexho.

“Vitet e fundit edhe unë i jam afruar disi muzikës popullore duke qenë se këndoj nëpër ambiente të ndryshme. Këngët e jugut sikur më rrinë më mirë dhe më më natyrale”, shtoi Zaimi./tvklan.al