Izolohet në qeli të veçantë italiani i infektuar

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik u kthyen sërish në Burgun 313 mëngjesin e kësaj të mërkure. Ata kanë marrë teste të tjera te stafi i burgut dhe te të dënuarit, një ditë pasi njëri prej tyre rezultoi pozitiv me koronavirus.

Bëhet fjalë për italianin Xhovani Dicosimo, i cili po mbahet në paraburgim, i akuzuar për trafikim lëndësh narkotike.

Mbetet e paqartë për autoritetet se si u infektua i ndaluari në kushtet kur prej1 muaji janë pezulluar takimet me familjarët dhe në sistemin e burgjeve po zbatohet një protokoll sigurie për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Italiani është vetëizoluar në një qeli të veçantë, ndërsa avokati i tij mbrojtës ka paraqitur kërkesë në gjykatë për lirimin klientit të tij për shkak të sëmundjes.

Gjatë kësaj kohe, në Gjykatën Penale, por edhe Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka pasur një numër të madh kërkesash nga të paraburgosurit që kanë pretenduar se janë prekur nga koronavirusi dhe duhet të lirohen me masa të tjera sigurie.

Por Ministria e Shëndetësisë thotë se ambientet e këtij burgu ka kryer 40 tamponë dhe vetëm një prej tyre ka rezultuar pozitiv.

Tv Klan