Specialistët: Ndikim negativ në zhvillimin e të folurit dhe artikulimit

Përdorimi i pajisjeve të ndryshme teknologjike si telefoni apo kompjuteri që në moshë të vogël ka ndikim negativ tek aftësia e fëmijëve për të folur apo komunikuar.

Irisa Curraj (logopede): Sidomos këto dy vitet e fundit janë shtuar shumë rastet me fëmijë që kanë probleme me vonesa gjuhësore, me probleme në komunikim. Televizori apo telefoni kanë ndikuar shumë në pjesën e të shprehurit tek fëmijët, çdo stimul e merr vetëm te telefoni, kanë fjalor të pakët, nuk dinë të shprehin nevojat bazë të vetes së tyre.

Kryesisht problemet me komunikimin ndeshen tek moshat e vogla, por nuk mungojnë as rastet tek adoleshentët që nuk i artikulojnë fjalët siç duhet.

Irisa Curraj (logopede): Fillojnë që nga mosha 1 vjeç, 1 vjeç e gjysmë deri në moshën 4,5 vjeç. Në moshën e adoleshencës siç mund të jetë 11, 13 vjeç e më tepër, mund të kenë përveç vonesës gjuhësore edhe defekte në artikulim.

Specialistët shprehen se këto lloj problemesh tek fëmijët, bëjnë që ata të bien pre e bullizimit.

Irisa Curraj (logopede): Më të bullizuar po sepse që në parashkollor fillon bullizimi, mbyllen në vetvete. Absolutisht që ndikon shumë pjesa e të folurit në këtë aspekt.

Shkëputja nga përdorimi i pajisjeve teknologjike, lojërat në natyrë me bashkëmoshatarët dhe konsultat me logopedin janë disa nga këshillat kryesore që japin specialistët për të kapërcyer këtë situatë.

Klan News