Abazoviç tregon kushtet për qeverinë e re

Nuk kanë munguar tensionet në Malin e Zi, teksa në grupimet e mëdha që nuk i kanë siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re dhe janë në garë për tërheqjen e deputetëve të partive të tjera që siguruan vende në parlamentin 81-vendësh.

Përplasje të vogla ka pasur gjatë natës në Podgoricë mes mbështetësve të demokratëve socialistë të Milo Gjukanoviçit dhe koalicionit pro-serb për ardhmërinë e Malit të Zi të Zdravko Krivokapiçit.

Do të jetë partia e Gjukanoviçit që do t’a marrë e para mandatin për formimin e qeverisë. Por pro-serbët e Krivokapiçit arritën mbrëmjen e të hënës një marrëveshje paraprake me koalicionin “Paqja është kombi ynë” dhe me “E zeza në të bardhë” të shqiptarit Dritan Abazoviç.

Të treja këto grupime arrijnë 41 votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re, ku shumicën prej 27 votash e ka koalicioni pro-serb.

Në një tubim me mbështetës të koalicionit të drejtuar prej tij, Abazoviç i përcaktoi koalicionit pro-serb që synon mbajtjen e marrëdhënieve të mira edhe me Moskën, linjat e kuqe ku kusht i panegociueshëm është antarësimi i shpejtë i Malit të Zi në Bashkimin Europian.

Sipas Abazoviçit, nuk do të ketë partneritet me asnjë grupim që nuk mbështetet në këtë parim. Ai tha se do të lerë jashtë frymën nacionaliste, duke thënë se “Mali i Zi nuk do të bëhet kurrë Sparta Serbe, as krahinë e Shqipërisë së Madhe e as e Serbisë së Madhe apo ndonjë shteti tjetër”.

Megjithatë analistët thonë se dy partnerët e vegjël pro-europianë nuk do t’a kenë të lehtë t’i imponojnë orientimin pro-europian qeverisë së kryesuar nga pro-serbi Zdravko Krivokapiç, që ka mbi dyfishin e votave të tyre brenda koalicionit. Sipas tyre, nëse formohet kjo qeveri do të ketë shumë vështirësi në kryerjen e funksioneve, e ndoshta mund të bjerë shpejt.

Tv Klan