Takimi në Paris i zv/kryeministrit italian Luixhi di Maio me Kristof Shalnsonin, njërin prej drejtuesve të jelekëverdhëve ka tensionuar në kulm marrëdhëniet diplomatike mes Francës dhe Italisë. Parisi thirri për konsultime ambasadorin francez në Romë. Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Jashtme franceze e quajti takimin “një provokim të papranueshëm”.

“Franca ka qenë prej muajsh, objekt i akuzave të përsëritura, sulmeve të pabaza e deklaratave të egra. Kjo është një situatë e paprecedentë prej fundit të Luftës së Dytë botërore. Ndërhyrja e fundit është një tjetër provokim i papranueshëm”.

Në takimin e 5 Shkurtit, Di Maio shoqërohej nga deputeti tjetër i 5 Yjeve, Alesandro di Batista. Qëllimi i takimit ishte krijimi i një aleance politike përpara zgjedhjeve europarlamentare të Majit, ku jelekëverdhët synojnë të përfaqësohen me një listë të veçantë në Parlamentin Europian.

Megjithatë në një reagim në Facebook, Luixhi di Maio tha se takimi i tij me jelekëverdhët nuk ka të bëjë me asnjë komplot kundër Francës. Ai shpjegoi se takimi lidhej me të përbashkëtat që 5 Yjet kanë me parimet sociale që mbrojnë jelekëverdhët. Tensionet mes Italisë dhe Francës janë rritur së tepërmi, veçanërisht pas mosmarrëveshjeve për strehimin e refugjatëve.

Tv Klan