“Parashikimet, përtej mundësive të shkencës”

Në emër të qeverisë, Ministrja e Mbrojtjes i ka kthyer përgjigje kreut të shtetit, lidhur me shqetësimin e tij për një rrezik që i kanoset vendit dhe rajonit, nga një tërmet i përmasave apokaliptike, me fuqi 150 ballë.

Ministrja Xhaçka e informon Presidentin se sizmiologët kanë arritur prej kohësh në konkluzione se tërmetet janë të paparashikueshme dhe se parashikimet e sakta janë përtej mundësive të shkencës.

Xhaçka thotë se përfshirja e kreut të shtetit në debatin për emergjencat publike është i mirëpritur. Por kontributin e tij, Ministrja ia kërkon ta shprehë duke dekretuar Ligjin për Mbrojtjen Civile.

Presidenca reagoi duke shmangur replikat për parashikueshmërinë e tërmetit, por duke ironizuar Ministren dhe duke i kujtuar se ligji për të cilin ajo kërkon dekretim, është firmosur nga kreu i shtetit.

Gjithsesi, Ministria e Mbrojtjes thotë në kthimin e përgjigjes për Presidentin, se qeveria i ka kushtuar vëmendje maksimale përgatitjes për t’u përballur me çdo emergjencë dhe fatkeqësi natyrore dhe tani vendi është më i përgatitur se çdo moment tjetër, gjatë 30 viteve të fundit.

Tv Klan