Teuta regjistroi fitoren e dytë radhazi në Ligën Ballkanike të Basketbollit. Ekipi durrsak fitoi të martën në shtëpi derbin shqiptar me Bashkimin e Prizrenit me rezultatin 88 – 64. Sfida pati rivalitet në 15 minutat e para, por më vonë ishin basketbollistët e Teutës, të cilët diktuan lojën, duke e çuar diferencën para pushimit në 13 pikë.

Më rezultativi në fushë për durrsakët ishte Endrit Hysenagolli me 22 pikë të realizuara dhe 13 topa të marrë në tabelë. Bashkimi pavarësisht përpjekjeve të amerikanit Jordan Capps, autor i 27 pikëve, u dorëzua në humbjen e dytë në po aq ndeshje. Ndeshja e radhës e Teutës në Ligën Ballkanike do të jetë jashtë fushe, ndaj Kuzovit më 7 Nëntor në Maqedoni.

Tv Klan