Ndeshja Teuta-Kukësi hapi javën e 21-të të Kategorisë Superiore. Sfida mes skuadrave pretendente përfundoi në barazim 2-2.
Dy skuadrat ndaluan njëra-tjetrën dhe ato që festojnë janë rivalët.
Durrsakët nuk kanë mundur të ruajnë avantazhin e tyre, teksa verilindorët kanë barazuar dy herë rezultatin gjatë 90 minutave. Dejvi Bregu është ai që hap serinë e golave në minutën e 32-të të ndeshjes, ku konverton në gol një penallti të akorduar.
Në pjesën e dytë ishte Eze që kundërpërgjigjet po nga pika e bardhë e njëmbëdhjetë metërshit. Por festa e ekipit të Josës do të shuhej shumë shpejt.
Vetëm 4 minuta më vonë ishte sërish Bregu ai që këtë herë me një ekzekutim perfekt nga goditja e këndit kthen sërish lojën në favor të Teutës.
E kur dukej se ekipi i Martinit do të linte fushën e “Niko Dovanas” me 3 pikët në xhep, Tsintsadze gjen rrugën e rrjetës. Ishte minuta e 86-të, kur gjeorgjiani shfrytëzon një goditje nga këndi për të barazuar gjithçka.
Klan News