Presidenti kosovar Hashim Thaçi këmbëngul se do t’a çojë deri në fund propozimin për demarkacionin kufitar me Serbinë. Gjatë një konference për shtyp në Prishtinë, kreu i shtetit kosovar u shpreh i sigurt se përmes demarkacionit kufitar, Serbia do të njihte automatikisht Pavarësinë e Kosovës, por edhe përfshirjen e Luginës së Preshevës në territorin kosovar.

“Korrigjimi i kufirit i siguron Kosovës njohje direkte, automatike, nga Serbia dhe bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit”.

Thaçi shpjegoi përfitimet e Kosovës nga procesi i demarkacionit.

“Njohja nga Serbia nënkupton po ashtu njohje nga 5 vende të Bashkimit Europian, Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro. Nënkupton menjëherë fillimin e procesit të themelimit të ushtrisë dhe nisjen e rrugëtimit për në NATO. Njohja reciproke Kosovë-Serbi nënkupton edhe heqjen e VETO-s ruse nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe me këtë Kosova fiton një njohje globale”.

Për presidentin kosovar, çështja e Kosovës ndikon drejtpërdrejt në marrëdhëniet e Tiranës me Beogradin.

“E sotmja dhe e ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-serbe kalon përmes Prishtinës kah Tirana dhe jo siç pretendon Beogradi, përmes Tiranës kah Prishtina”. 

Vendet europiane kanë paralajmëruar Prishtinën dhe Beogradin të kenë kujdes me procesin e korrigjimit të kufirit, që mund të çojë në shkëmbim territoresh mes dy vendeve, që mund të shkaktonte efekt domino dhe destabilizimin e rajonit.

Tv Klan