Banorët janë të traumatizuar nga tërmeti

Asnjëherë më parë banorët e fshatit Thumanë në Krujë nuk kanë parë kaq shumë lajmërime mortore në të njëjtën ditë.

“56 orë më parë, në këto pallate të Thumanës gjallonte jeta, po tërmeti i 26 Nëntorit la nën gërmadhat e tij 22 persona që humbën jetën, ndërsa jetën e banorëve të tjerë e ndryshoi përgjithmonë”

Prej 2 ditësh dhjetëra familje qëndrojnë në 70 çadrat e ngritura në fushën e sportit.

Lapsat me ngjyra e pak lodra janë argëtimi i vetëm i fëmijëve.

Të rriturve dëshpërimi ju lexohet në sy.

E lenë kampin vetëm kur përcjellin per në banesën e fundit fqinjët që humben jetën.

Ekipet e emergjencës shpërndajnë vazhdimisht ndihmat që sjellin qytetarët.

Në Thumanë nuk ka nisur ende vlerësimi i banesave, teksa qindra prej tyre janë dëmtuar rëndë.

Ish-minatori Fran Lleshi nuk banon në shtëpinë e tij që prej tërmetit të 21 Shtatorit. Lëkundjet e fundit e rrënuan plotësisht ndërtesën ku kishte menduar të kalonte jetën. Bashkë më të shoqen e paralizuar janë strehuar në këtë barakë.

Veç Thumanës, me qindra objekte banimi janë dëmtuar në fshatrat Mazhe, Hasan, Bupq që ndodhen mes Vorës dhe Fushë-Krujës dhe fshatrat e Krujës.

Tv Klan