Djalin e humbën tragjikisht në aksident më shumë se një vit më parë, e në mungesë të tij, menduan që të merrnin nipin e ta rrisnin vetë. Të paktën kështu deklaroi gjyshja e 3-vjeçarit, Bahrije Gjuni, e cila një javë më parë rrëmbeu nipin nga nëna e tij 23-vjeçare në Durrës, pasi donte ta rriste vetë. Pikërisht kjo ngjarje u diskutua këtë të martë në studion e “Rudina”. Për pediatren Lira Gjika, veprimi i gjyshërve është papërgjegjshmëri. Ndërsa analistja Raina Kovaçi tregon fjalët e stërgjyshes.

“Një papërgjegjshmëri, një njeri që nuk e di ku e ka vendin, është një veprim impulsiv e kaq. Një jetë e pajetuar”, shprehet pediatrja Lira Gjika.

“Ata kanë bërë dhe gjyq, asaj i takonte dhe mamaja e ka çuar djalin dhe ata kanë ndenjur me të sipas ligjit tamam. Stërgjyshja e ka kritikuar të bijën, gjyshen pra, dhe i ka thënë duhet ta çosh fëmijën tek nëna e vet, se nëna nuk bëhet tjetër. Ti nuk je nëna, je gjyshja”, thotë analistja e çështjeve sociale Raina Kovaçi.

“Ne mund ta shpjegojmë ngjarjen, por jo ta justifikojmë. Fëmijët nuk janë për të zëvendësuar njëri-tjetrin, janë krijesa që i përkasin vetes së tyre, nuk mund ta konsiderojmë një gur shahu. Nëse dëgjojmë historinë, 4 net në 4 hotele të ndryshme. Po pse a ka një fëmijë që bën rehat në 4 hotele të ndryshme? Një fëmijë që e ndjen tensionin, patjetër që e ndjen energjinë që është nën presion. Dhe kanë ndikuar për ndjenja frike tek fëmije”, shton aktivistja Suela Koçibellin./tvklan.al