Me Partizanin që hipotekoi titullin një javë më parë, vëmendja është drejtuar tek skuadrat që luajnë për mbijetesën dhe ato që kërkojnë një vend në Europa League.

Në “Selman Stërmasi” do të luhet sfida direkte mes Tiranës dhe Kastriotit. Tirana ka dy pikë më tepër në renditje dhe në rast fitoreje do të arrijë shpëtimin. Do t’i mungojnë mbështetësit në këtë ndeshje kështu që futbollistët duhet të japin më shumë se maksimumin e tyre. Nga ana tjetër, te Kastrioti janë treguar agresivë në çdo takim duke bërë që edhe kundërshtarët më të fortë të mos e kishin të lehtë fitoren.

Përballje direkte për një vend në Europë do të luhet mes Flamurtarit dhe Laçit. Vetëm një pikë i ndan nga njëra tjetra këto skuadra që gjenden në vend të 5 dhe të 4. Kukësi është më i sigurt teksa këtë të shtunë do të presë Skënderbeun. Korçarët kanë ende mundësi për të zënë një vend në Europa League megjithëse presin vendimin e CAS.

Në “Niko Dovana” Partizani do të aktivizojë më shumë lojtarët e stolit për t’i dhënë mundësi në 3 ndeshjet e fundit të sezonit dhe për të lënë pushim titullarët. Të gjitha takimit do të luhen në 16:30.

Tv Klan