Në makinë u gjendën shuma parash, stemë policie të falsifikuar Arratiset Marklen Haka dhe Bledar Kurti, kapen dy shokët e tyre

Katër të rinj janë përballur me policinë e Tiranës mbrëmjen e të enjtes, pasi kishin thyer orën policore duke udhëtuar me një automjet tip Volkswagen. Efektivë të repartit shqiponja i kanë ndaluar në rrugën Marie Logoreci në zonën e Xhamllikut, por janë ndeshur me rezistencën e të rinjve.

Për shkak të rezistencës blutë kanë vënë në pranga dy prej tyre, 29-vjeçarin Aurel Deliu dhe bashkëmoshatarin e tij Alban Tufa. Dy personat e tjerë që ndodheshin pasagjerë në automjet, janë arratisur ndaj policia i ka shpallur në kërkim.

Ata janë Bledar Kurti 40-vjeç dhe Marklen Haka, 30-vjeç nga Fushë-Kruja. Ky i fundit është personazh i njohur për policinë, pasi dy vite më parë i bënë atentat në derë të shtëpisë, ku vetë ai mbeti i plagosur rëndë, ndërsa humbi jetën halla e tij, 50-vjeçarja Shpresa Basha.

Haka gjithashtu njihet si një prej të fortëve të Fushë–Krujës. 30-vjeçari u arrestua në shtator të vitit 2018 së bashku me disa persona të tjerë gjatë një aksioni të RENEA-s në Nikël. Ata u vunë në pranga për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Dy të arratisurit, Haka dhe Kurti sipas burimeve kanë marrë me vete dhe një armë zjarri që e mbanin në automjet.

Gjatë kontrollit në mjetin me të cilin qarkullonin katër personat e pikasur nga policia, u gjet një sasi e konsiderueshme parash në euro dhe në lekë, sende që përdoren për prerjen e lëndës narkotike, 1 portofol me stemën e policisë dhe 4 aparate celular. Të gjitha këto u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.

Klan News