Transformimi i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit

Transformimi i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit

15:59 04/08/2019

Shndërrohet skena, por edhe ambientet e artistëve

Më shumë se dy vite nga futja në rindërtim, brendia e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit është kthyer në një mjedis që i përgjigjet kërkesave të artistëve dhe spektatorëve. Shndërrimi nis me më kryesoren, sallën e shfaqjeve. Është shfrytëzuar çdo centimetër në funksion të një skene më të madhe dhe më shumë vendeve për spektatorin.

Deri para fillimit të punimeve, shumë mjedise ishin të papërdorshme. Ato ishin kthyer në vendgrumbullim objektesh të vjetra e në disa raste edhe mbeturinash.

Me rikonceptimin e hapësirave që fsheh në brendësi shtëpia e vetme e Operas dhe Baletit, ato janë shndërruar në salla për orkestra apo dhoma ku artistët zhvillojnë prova individuale apo në grup.

Më të vështirë për të punuar e kanë patur punonjësit e katit të parë të nëndheshëm, rrobaqepësit, këpucarët apo kujdestarët e rekuizitës.

Disa nga ambientet që deri në Janarin e 2017-ës shërbenin si salla për prova për korin apo instrumentistët, edhe pse ishin krijuar për tjetër gjë, sot ato janë në dispozicion të publikut dhe të personaliteteve.

Ndërhyrja kryesore, ajo që nuk shihet, është në atë që prej vitesh përbënte shqetësimin më të madh, sistemin e ngrohjes dhe të ftohjes, në çdo sallë shfaqjesh, dhomë provash, mjedise pune e shplodhje.

Brenda në institucion artistët do të gjejnë edhe kushte lehtësuese për të zhvilluar artin e tyre pa ndërprerje, lehtësi, si një vend për të ngrënë apo dhoma individuale provash me tualete personale.

Ajo çfarë ka mbetur nga e shkuara në brendësi të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit janë dyshemetë në të gjitha katet dhe dritaret, që janë ripunuar me material të ri, por sipas modelit të vjetër.

Pamjet në brendësi të institucionit tregojnë se punimet janë në mbyllje, për të hyrë në një tjetër fazë, atë të vendosjes së pajisjeve për artistët dhe teknikët e skenës, me besimin se në fillimin e 2020-ës, teatri do t’i dorëzohet artistëve të operas, baletit dhe ansamblit të këngëve dhe valleve popullore.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT