Donald Trump dhe Joe Biden zhvilluan mbrëmjen e së martës debatin e parë presidencial nga 3 të tillë. Por kush prej tyre doli fitues në këtë debat televiziv?

Sipas analistëve, fitues është konsideruar kandidati për president, Joe Biden. Analistët argumentojnë se Biden arriti qëllimin e tij, që më së paku ishte t’u provonte qytetarëve se i bënte ballë presionit të kundërshtarit dhe të ruante qetësinë.

77-vjeçari, nëse do të fitojë zgjedhjet presidenciale, do të jetë Presidenti i parë amerikan më i moshuar në detyrë. Kryesisht Biden e fitoi këtë debat të parë duke qëndruar i qetë përballë sulmeve dhe ndërprerjeve të vazhdueshme që i bënte Presidenti Donald Trump.

Gjatë 90 minutave të debatit televiziv, Presidenti Trump ishte më së shumti në ekran, duke i ndërprerë fjalën disa herë rivalit Biden. Por sipas analistëve amerikanë, edhe mbështetësit e Trump nuk tërhiqen si më parë nga sjellja tipike e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Por, pavarësisht këtij debati, sondazhet tregojnë se 1 në 10 amerikanë janë të pavendosur se për cilin nga dy kandidatët do të votojnë në zgjedhjet presidenciale amerikane në Nëntor të këtij viti. /tvklan.al