Për herë të parë një Kryemisniter i Greqisë në një vizitë zyrtare në Shkup. Alexis Tsipras mberriti këtë të martë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ish-aeroporti “Aleksandri i Madh” emri i të cilit ishte një ndër pikat e marrëveshjes historike të Prespës.

I pritur nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska dhe nga ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, Tsipras u shoqëua në selinë e kryeministrisë, ku mirëseardhjen ia dha homologu i tij Zoran Zaev. Nuk munguan momentet e fotografive personale.

Dukshëm i lumtur për vizitën e Tsipras, Zaev nënvizoi se bëhet fjalë për një takim me historinë.

“Nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, po nënshkruajmë historinë. Greqia ishte e para që nënshkroi protokolli. Kur të ktheheni pas do të shihni kohë të humbura, kur të shihni para do të shihni dy vende mike, të cilat me vendime të guximshme shkojnë para drejt së ardhmes. Marrëveshja e Prespës dhe zbatimi i saj janë garanci për të ardhmen e dy vendeve.”

Kryeminsitri Tsipras siguroi se Greqia do të mbështesë Maqedoninë e Veriut deri në anëtarësimin e plotë në NATO dhe BE.

“Ne jemi këtu për të gjetur zgjidhje dhe për të shikuar përpara, të shohim drejt ardhmërisë. Ti largojmë nyjet, të ndërtojmë ura në vend të mureve. Ne mësojmë nga historia, por edhe krijojmë historinë tonë, ky është vizion kyç për Europën dhe Ballkanin”.

Alexis Tsipras u shoqërua në Shkup nga një grup ministrash të kabinetit të tij dhe disa sipërmarrës nga Athina.

Dy delegacionet firmosën një sërë marrëveshjesh tregtare për të afruar më tej Athinën dhe Shkupin dhe intensifikuar bashkëpunimin ekonomik.

Kryeministri grek pritet të takohet gjithashtu me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.

Tv Klan