Turistët e huaj që vijnë në Durrës për pushime po shfaqin një interes gjithnjë e më të madh për tatuazhet, sipas Erxhano Rexhepit.

Kjo bën që ata të shfrytëzojnë mundësinë për të bërë tatuazhe me një çmim më të ulët krahasuar me vendet nga vijnë.

Erxhano Rexhepi, artist tatuazhesh: Kërkojnë në Google dhë shohin studio që ju pëlqejnë tatuazhet. Bëjnë pushime, bëjnë edhe tatuazhe. Përveç se iu pëlqen çmimi ngelen shumë të kënaqur edhe nga puna.

Interesi për të patur një tatuazh nuk është i kufizuar nga mosha. Adoleshentët dhe të moshuarit gjithashtu shfaqin një kërkesë të rritur për të bërë tatuazhe, duke reflektuar një trend të përgjithshëm në rritje.

Erxhano Rexhepi, artist tatuazhesh: Grupmosha me interes më të lartë janë 20-40 vjeç. Kam pasur edhe moshën e prindërve dhe të gjyshërve tanë. Kam pasur shumë nga Anglia, Gjermania, Greqia, Italia edhe Norvegjia e Suedia kam pasur.

Erxhano, me një përvojë të gjatë në fushën e tatuazheve, tregon se klientët e tij janë shumë të ndryshëm në karakter dhe, rrjedhimisht, kërkesat për tatuazhe janë të ndryshme gjithashtu. Një klient i huaj kërkoi që të pikturonte pothuajse të gjithë fytyrën.

Erxhano Rexhepi, artist tatuazhesh: Punim i çuditshëm ka qenë nga një libanez duke i bërë në portretin e tij disa shkrime, simbolika. Në Shqipëri nuk e kisha provuar ndonjëherë një kërkesë të tillë. Më ka bërë shumë përshtypje. Ishte edhe eksperiencë për mua duke i bërë edhe buzët në ngjyrë jeshile. Isha pak në siklet se nuk e kisha provuar pjesën e buzës dhe të fytyrës.

Edhe pse tatuazhi nuk është negativ në vetvete, specialistët rekomandojnë që gjithmonë duhet të bëhet kujdes dhe të konsultohet me një profesionist përpara se të bëhet një tatuazh.

Klan News