Shqipëria paraqet ofertën turistike në Panairin Ndërkombëtar të Berlinit

Shqipëria po prezanton ofertën turistike në panairin ndërkombëtar të turizmit në Berlin. Sipas ministres Mirela Kumbaro, vendi ynë përgjatë një viti do të jetë  vendi i nderit në këtë panair ndërsa në muajin Prill ministrat e Turizmit nga shumë vende të Botës zhvillojnë takim në Tiranë se bashku me investitorët që kanë interes të zhvillojnë bisneset e tyre.

“Pra fillojmë një bashkëudhëtim promovimi në të gjithë botën me panairin më të madh në botë që është Panairi i Berlinit duke filluar nga ky Mars deri në Marsin 2025 ku Shqipëria do të jetë praktikisht qendra e vëmendjes së të gjithë panairit. Komisioni për Europën dhe Organizata Botërore e Turizmit do të mblidhet në 8 dhe 9 Prill në Tiranë me pjesëmarrje të ministrave nga të gjithë shtetet e kontinentit evropian dhe kjo ndodh për të parën herë në Shqipëri bashkë me një forum shumë intensiv për investimet në turizëm.”

Vitin 2024 ministrja Kumbaro e cilësoi provën e ‘zjarrit’ për shkak se synohet rritja e cilësisë dhe standartit dhe jo me tejkalimi i shifrave të një viti më parë e cila sipas tur operatorëve pritet të shkojë deri në rreth 13 milionë turistë.

“Tur operatorët turistikë dhe agjensitë e udhëtimit konfirmojnë se kanë angazhime rreth 35-40% më shumë se sa viti i kaluar që do të thotë se do të kemi shifra më të larta. Sfidën e kemi me cilësinë, shërbimin dhe ruajtjen e standardit dhe faktin që këto turistë që vijnë duhet të ikin të kënaqur. Unë mendoj që viti 2024 duke parë edhe prenpotimet që po bëhen do të jetë në njëfarë mënyre prova e zjarrit.”

Për formalizmin e tregut të strukturave hoteliere, ministrja tha se brenda pak ditësh pritet të miratohen edhe ndryshimet ligjore të nevojshme në Parlament.

“Do të miratojmë në Parlament amendimet e ligjit për turizmin në të cilin kemi shtuar kategori të tjera akomodimi siç janë dhomat, apartamentet e vilat të cilat duke u formalizuar do të futen në llogarinë e përgjithshme të kapaciteteve strehuese që kemi. Duam të inkurajojmë investitorët privat që të investojë në kapacitete hoteliere, jo thjeshtë për të strehuar turistët por edhe sepse kjo krijon punësim.”

Në këtë panair që zhvillohet deri me 7 mars në Gjermani synohet të ofrohet një paketë turistike që Shqipëria të ketë një turizëm gjithëvjetor, që ky sektor të kthehet në një industri të qëndrueshme dhe kontribuese kryesore të gjenerimit të punësimit dhe të ardhurave.

Klan News