Turizmi shqiptar rrezikon këtë vit të regjistrojë një numër pushuesish më të ulët se një vit më parë.

Mungesa e promovimit të resurseve turistike nga Ministria e Kulturës dhe pushteti lokal ka bërë që bregdeti ynë të ndjejë braktisjen që në ditët e para të këtij sezoni turistik.

Përveç një spoti të publikuar në CNN, potencialet e mëdha turistike të bregdetit shqiptar nuk kanë mundur të promovohen ashtu siç duhet edhe në hapësirat mbarë shqiptare, nga ku vendi ynë thith numrin më të madh të turistëve.

Edhe pse Ministria e Turizmit ka vendosur si objektiv dyfishimin e pushuesve në raport me një vit më parë, duket se rrjedhja nga turizmi patriotik, siç është quajtur ndryshe ky potencial i industrisë së turizmit shqiptar, do të jetë e konsiderueshme.

Bashkitë dhe komunat në të gjithë vijën bregdetare janë mjaftuar vetëm me ceremonitë e  çeljes së sezonit turistik, ndërkohë që promocioni ndërkombëtar dhe ai rajonal kanë munguar pothuajse tërësisht.

Hapja e dyerve për pritjen e pushuesve është konceptuar vetëm si aksion për pastrimin e plazheve, ndërkohë që koordinimi me Ministrinë e Kulturës nuk ka bërë të mundur ndërmarrjen e një fushate të mirëfilltë promovuese.

Plazhet e Sarandës, Vlorës, Durrësit, Shëngjinit apo Velipojës shpresojnë sërish në atdhetarizmin e bashkëkombasve nga Kosova apo Maqedonia, pavarësisht informacionit të mangët për atë çka ka ndryshuar këtë sezon turistik.

Bregdeti shqiptar, nga skaji më jugor deri në verilindje të tij, ofron peizazhe te mrekullueshme, por mungesa e informacionit ndikon negativisht ne perspektivën për kthimin e Shqipërisë në një prej destinacioneve turistike më tërheqëse të rajonit.

Me sa duket turizmi shqiptar do të vuajë edhe këtë vit pasojat e një promocioni të padenjë për të zbuluar atë që në spotin e vetëm publicitar për vendin tonë është quajtur sekreti i fundit./tvklan.al

Gazetar: Drini Zeqo