Kjo është makina “Land Rover” që u përdor nga autorët e vrasjes së Gentjan Bejtjes më 15 Mars në fshatin Larushk të Fushë Krujës.

Foto e siguruar ekskluzivisht nga TV Klan është fiksuar nga një prej kamerave në zonë, ku shfaqet fuoristrada ngjyrë e zezë në brendësi të së cilës ndodheshin 4 persona.

Ky automjet është ekspozuar në disa kamera sigurie, si para dhe pas ngjarjes, por pavarësisht kësaj grupi hetimor ende nuk ka mundur të identifikojë ndonjë prej autorëve.

Makina tip “Land Rover” ka rezultuar se ka ardhur nga Tirana në drejtim të Larushkut dhe pas vrasjes ka lëvizur për në fshatin Hasan aty ku edhe u dogj së bashku me 4 armë zjarri.

Policia dyshon se në këtë fshat vrasësit janë marrë nga Ilir Beqaraj, tashmë i vënë në pranga. Ky person besohet se ka transportuar autorët e vrasjes me një makinë tip “Golf 7” në pronësi të Edison Haxhiut, edhe ky i arrestuar.

Automjeti që lëvizën autorët pas djegies së “Land Roverit”, është sekuestruar nga policia dhe në brendësi të tij janë gjetur prova materiale, të cilat janë çuar për ekzaminim, përmes të cilave ka shpresë se mund shkohet tek identifikimi i vrasësve të 41-vjeçarit.

Tv Klan