Trupi i 40-vjeçarit Aurel Ndoni i cili u mbyt rreth dy muaj më parë në Porto Romano, teksa po peshkonte, është gjetur në brigjet e Kroacisë. Trupi i të ndjerit qëndronte prej ditësh në morg i paidentifikuar, ndërsa së fundmi është tërhequr nga familjarët e tij. këta të fundit udhëtuan drejt Kroacisë për të bërë identifikimin e tij dhe më pas sollën trupin në atdhe.

Aurel Ndoni pasditen e 25 shkurtit ishte duke peshkuar me një varkë të vogël së bashku me të vëllain dhe një tjetër person, por kushtet e motit nuk ishin edhe aq të favorshme. 40-vjeçari kur ka rrëshqitur në ujë është tërhequr nga rryma dhe nuk ka mundur të dalë nga deti.

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me polumbarët e RENEA-s kërkuan për gjetjen e trupit, por nuk mundën ta gjejnë.

Pas disa ditësh kërkime, polumbarët e RENEA-s u thanë familjarëve se rrymat detare e kanë zhvendosur trupin, pasi era me drejtim nga jugu ishte shumë e fortë.

Në atë kohë familjarët kontraktuan edhe polumbarë privat të një kompanie holandeze për gjetjen e trupit të 40-vjeçarit, por pa rezultat.

Klan News