Ulet avioni i parë në Aeroportin e Kukësit



Ulet avioni i parë në Aeroportin e Kukësit

15:12 18/04/2021

Pasagjerët e parë ishin emigrantë nga Londra, në Maj nisin fluturimet me disa vende 

Ky është momenti kur avioni i Air Albania preku pistën e Kukësit.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit është aeroporti i dytë civil në Shqipëri, dhe ndodhet rreth 3.5 km në dalje të qytetit. Në Maj do të nisë normalisht fluturimet me shtete si Zvicra, Gjermania, vendet Skandinave dhe Italinë e Veriut.

Pasagjerët e parë që udhëtuan nga Londra mes emocionesh u shprehën se ky udhëtim ishte një ëndërr e bërë realitet.

“E pritëm me shumë emocione përpos faktit që pashë djalin tim pas 5 muajsh që kur ka lindur, se nuk e kisha parë. Diçka realisht e madhe për kuksianët e për gjithë Shqipërinë. Avioni në aeroportin e Kukësit ishte i papritur, nuk e kemi pritur ndonjëherë por ja që ëndrra u bë realtitet”, tha një qytetar.

“Ndihemi shumë krenar që jemi në Shqipëri dhe kemi një aeroport të dytë. I uroj të dy partive fitore“, tha një tjetër.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Aeroportit të Kukësit, Altin Progonati, ky aeroport do të ofrojë fluturime ‘low cost’ si për shtetasit shqiptare po ashtu edhe shqiptarët e Kosovës.

“Funksioni i aeroportit, ndërtimi i tij dhe vetë infrastruktura e tij janë ndërtuar si një aeroport loë cost. Këto do të sjellin dhe çmimet më të ulëta në marrëveshje me komapnitë ajrore”,  u shpreh Altin Progonati, drejtor i përgjithshëm i aeroportit të Kukësit.

Stafi do jetë rreth 110 persona, të rinj nga Kukësi që do të punojnë në këtë aeroport. Gjatë kesaj periudhe do ketë sërish fluturime promocionale dhe nga fundi i Majit do të nisin fluturimet normalisht. Aeroporti ndërkombëtar i Kukësit ka një pistë prej 2.2 km dhe hapësira e terminalit rreth 3800 m2 me standarde bashkëkohore.

Klan News







Të ngjashme