Specialistët: Është pozitive për shëndetin e vajzave

Lindshmëria në adoleshencë ka ardhur në ulje në Shqipëri. Të dhënat e publikuara në Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2024-2030 tregojnë se nga viti në vit lindshmëria është ulur me nga një pikë duke arritur në 12 lindje për çdo 1.000 vajza të grup-moshës 15-19 vjeç.

Numrin më të lartë të lindjeve në adoleshencë, Shqipëri e mban në vitin 2017, kur shënonte 16,3 foshnje të lindura për 1 mijë femra në popullatë. Për mjekët specialistë, kjo shihet si pozitive pasi lindja në moshën e adoleshencës mund të ketë pasoja në shëndetin e vajzave.

“Nga praktika e përditshme e punës konstatoj shumë raste të rralla të femrave të grupmoshës 15-19 vjeç. Nga ana obstetrikale si mjekë specialistë, kjo shtatzëni paraqet risqe më të larta se grupmoshat mbi 20 vjeç, për shkak se ka risk për anemi më tepër, për lindje para kohe, për shfaqjen e diabetit gjatë shtatzënisë, apo tensionit, gjë që ndikon për keq edhe tek shëndeti i nënës dhe tek shëndeti i bebit”, thotë Erta Mahilaj, Obstetër-Gjinokologe.

Për bluzat e bardha, lindja rekomandohet në një moshë mbi 20-vjeçare, edhe pse në Shqipëri vitet e fundit vihet re një rritje e moshës për lindjen e pare, duke sjellë edhe ulje të lindjeve në popullatë.

“Shtatzënia e parë rekomandohet që të ndodhe mbi moshën 20 vjeç dhe mbyllja e shtatzënive të jetë nën 35 vjeç, pasi mbi 35 vjeç rezervat ovariane fillojnë të bien”, shton mjekja

Sipas specialistëve, lindja nën moshën 20-vjeçare shoqërohet edhe stres, ankth dhe depresion gjatë shtatzënisë dhe pas shtatzënisë, duke bërë që vajzat të ndihen të izoluara dhe të paarrira. Vajzat e grupmoshës 15-19 vjeç nuk janë të pjekura emocionalisht, psikologjikisht dhe financiarisht për të patur një përgjegjshmëri sa më të shëndetshme prindërore.

Tv Klan