Mësimi online do të vazhdojë deri në fund të orëve të planifikuara

Universitetet publike do të risinin mësimin në auditore gjatë muajit Qershor.

Ministrja e Arsimit Besa Shahini sqaroi se kjo vlen vetëm për studentët që do të diplomohen, pasi provimet dhe riprovimet do t’i zhvillojnë në Korrik dhe javën e parë të Gushtit.

Ndërsa studentët e cikleve të tjera do të nisin mësimin nga 25 Gushti.

“Prioritet mbetet puna me studentët që diplomohen. Të mundësohet kthimi në auditore për 3-4 javë në Qershor 2020. Provimet dhe riprovimet zhvillohen në Korrik dhe javën e parë të Gushtit”.

Rikthimi i studentëve në auditore ngarkon Universitetet për hartimin e një plani të detajuar që garanton distancimin social të tyre.

“Të minimizohet numri i studentëve dhe të sigurohet distancimi fizik në klasa dhe laboratore. Këto plane përfshijnë numrin e saktë të studentëve, fashat e frekuentimit dhe metrat katrorë në dispozicion për të siguruar distancimin social”.

Viti akademik do të zgjatet deri në 2 javë, ndërkohë që mësimi online do të vazhdojë deri në përfundim të orëve të planifikuara.

Tv Klan