Ushtria izraelite pretendon se ka marrë kontrollin e kalimit kufitar Rafah midis Gazës dhe Egjiptit, disa orë pasi refuzoi një marrëveshje armëpushimi të pranuar nga Hamasi.

Ushtria izraelite thotë se po kryen sulme kundër Hamasit në lindje të Rafahut, që besohet se është bastioni i fundit i grupit në Gaza. Kjo rrugë kryesore për ndihmën në enklavën e shkatërruar, është mbyllur për shkak të pranisë së tankeve izraelite.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se forcat speciale janë tani në zonë dhe pretendojnë se 20 persona të armatosur u vranë në operacion, i cili gjithashtu gjeti boshte “të rëndësishme” tunelesh.

Operacioni i ushtrisë është cilësuar antiterrorist dhe i kufizuar në hapësirë. Ndërsa kalimi në Kerem Shalom është gjithashtu i mbyllur për “arsye sigurie”, tha ushtria izraelite.

Pavarësisht presionit ndërkombëtar për të mos avancuar në qytetin jugor të Gazës, ku rreth 1.4 milionë palestinezë janë larguar, Izraeli këmbëngul se fitorja mbi Hamasin nuk është e mundur pa marrë Rafahun.

Hamasi tha se shefi i saj, Ismail Haniyeh, kishte informuar ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit se grupi kishte pranuar propozimin e tyre për një armëpushim, por zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se propozimi i armëpushimit nuk i përmbushte kërkesat e tij.

Megjithatë, ai shtoi se Izraeli do të dërgojë një delegacion për të takuar negociatorët në mënyrë që të përpiqet të arrijë një marrëveshje.

Klan News