Dyshja e sulmit kuqezi shënuan dy golësh në takimet e fundjavës

Performanca në fushën e lojës është shpërblyer për Myrto Uzunin dhe Sokol Cikalleshin. Dyshja e kombëtares shqiptare shënuan dy gola në takimet e fundit me skuadrat respektive, duke u përfshirë në formacionin e javës. Me dy golëshin e realizuar në humbjen 3-2 përballë Real Sociedad, sulmuesi i Granadës, Myrto Uzuni u ngjit në kuotën e 9 golave sezonal.

Në një skemë 4-3-3, 28-vjeçari rreshtohet në krahun e djathtë të sulmit, përkrah emrave të rëndësishëm në La Ligën spanjolle. Me notën 8.1, Uzuni është ndër më të vlerësuarit. Në formacion gjenden edhe lojtarë të Real Madrid, si Luka Modriç apo Kamavinga.

Edhe Sokol Cikalleshi u përfshi në formacionin e javës. 33-vjeçari realizoi dy penallti në barazimin që Konyaspor mori 2-2 përballë Adana Demirspor për të qenë sulmuesi më i mirë në Superligën turke. Në një rreshtim, 3-4-3, Cikalleshi udhëheq repartin e sulmit, teksa në krahë gjenden Trezege dhe Pepe.

Për vendin në formacionin e javës në Turqi, sulmuesi kavajas kishte rivalitet edhe me sulmuesin tjetër të kombëtares shqiptare, Rey Manaj. Ky i fundit shënoj një prej golave më të bukur të sezonit, por që nuk shërbeu për tu përfshirë në formacionin e më të mirëve në elitën e futbollit turk.

Klan News