“Valsi i lumturisë fluturon lart në qiell me engjëjt”, reagime të shumta për humbjen e Avni Mulës



“Valsi i lumturisë fluturon lart në qiell me engjëjt”, reagime të shumta për humbjen e Avni Mulës

23:16 29/10/2020

Arti shqiptar humbi këtë të enjte një prej artistëve më të shquar, kompozitorin, këngëtarin dhe muzikantin e madh Avni Mula. Për vdekjen e tij, reagimet kanë qenë të menjëhershme e të shumta, si nga artistët ashtu edhe nga politika.

“Tashmë u bashkuan në qiell! Dhe unë kthehem në fëmijëri, kur muzika e Tij më dha emocionet e para: “Kur këndoj për ty moj nënë” “I ëmbël zëri i gjyshes” “Për çdo vit në maj” Sa shumë kujtime Avni Mula – paqe për Ty! Ngushëllime @invamula“, shkruajti Ardit Gjebrea.

“Të qoftë dheu i lehtë Prof. Avni Mula. Le mbrapa një pasuri të madhe. Familja Deda do të të kujtojë gjithmonë me respekt dhe përulje”, shkruan Elton Deda.

“Lamtumirë Avni Mula u prehsh në paqe”, shkruajti Kryeministri Edi Rama.

“Arti dhe artdashësit shqiptarë humbën sot Avni Mulën artistin e madh dhe kompozitorin që ndriçoi me artin e tij kohët e errëta e na la pas një krijimtari të vyer. Mendimet e mia sot janë për Invën dhe familjen Mula, miqtë dhe kolegët e artistit të madh Avni Mula. U prehtë në paqe!”, tha në një reagim kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Fort i trishtueshëm lajmi i ndarjes nga jeta e Avni Mulës, një nga pasuritë më të mëdha njerëzore dhe artistike të kombit tonë. Arti shqiptar do t’i jetë ngahera mirënjohës për veprën e çmuar që la pas! Ngushëllime Invës për humbjen e babait, emrin e të cilit Tirana e nderoi me sallën e koncerteve “Avni Mula” në rrugën e Dibrës për t’u kujtuar nga gjithë brezat!”, shprehet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

““Valsi i lumturisë” sonte fluturon lart në qiell me engjëjt duke marrë me vete shpirtin e artistit shumë të dashur Avni Mula, që jetoi me artisten e rrallë, lindi artiste të rralle, dhe lumturoi me muzikën e tij sa e sa artistë që e kënduan dhe artdashës që e adhuruan! Inva Mula në mënyrë fantastike, i festoi me miq të mirë 90 vjetorin dhe sa me fat u ndjeva që iu gjenda në krah. Lamtumire Mjeshtër!”, shkruan ish-Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Lajmin e hidhur e dha vajza e tij, sopronajo Inva Mula, e cila në një postim në rrjetet sociale, shkruajti: “Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Përjetësisë!” Kompozitori i madh Avni Mula, i vlerësuar me disa prej titujve më të lartë si Artisti i Popullit e Nderi i Kombit u shua në moshën 92-vjeçare./tvklan.al







Të ngjashme