Raste të tjera me variantet e reja të Covid-19 janë identifikuar në Malin e Zi dhe Itali

Studiuesit në një laborator të Institutit Ruđer Bošković me qendër në Zagreb kanë identifikuar praninë e një mutacioni të variantit brazilian të SARS-CoV-2 midis mostrave të mbledhura në Kroaci në tre muajt e fundit.

Një ekip studiuesish të udhëhequr nga Oliver Vugrek ka analizuar 50 mostra dhe një nga ato mostra përfshinte variantin B.1.1.28 të koronavirusit të ri. Këto 50 mostra u morën nga klinika private Medikol në Dhjetor 2020 gjatë testimit të qytetarëve.

Varianti brazilian u zbulua në një mostër të marrë në Zagreb. Ky ekip hulumtues nuk ka gjetur variantin britanik të virusit në ato mostra. Vugrek është shprehur se mutacioni mund të shfaqet në variante të ndryshme të virusit SARS-CoV-2. Ai tha se monitorimi i mutacioneve të virusit mund të ndihmojë ekspertët të përcaktojnë pse përhapja e virusit mund të intensifikohet ose ngadalësohet në mesin e një popullate në disa periudha kohore.

Ndërkaq një ditë më parë edhe në Malin e Zi variant britanik i Covid 19 u shfaq tek 7 pacientë. Analizat e monstrave u verifikuan në një laborator në Berlin.

Varianti ‘britanik’ i Covid-19 u gjet përmes sekuencës së gjenomit viral. Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, numri i rasteve Covid-19 të konfirmuara në Malin e Zi që nga shpërthimi i pandemisë arriti në 70,174 ndërsa numri i vdekjeve 916. Ndërkohë që autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se deri në fund të muajit Shkurt pritet të vijnë 5 mijë deri në 15 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik.

Përveç vaksinave ruse, në muajin Mars, Mali i Zi do të marrë dozat e para të vaksinës Pfizer si dhe 50 mijë doza nga prodhuesit kinezë Sinofarm. Po ashtu edhe në Itali në Napoli është shfaqur një lloj i rrallë i variantit të ri të Covid-19 dhe shkenctarët kanë filluar menjëherë verifikimet për mënyrën e përhapjes. Deri më tani mostrat e këtij virusi nuk paraqesin asnjë lloj ngjashmërie në lidhje me variantet e tjera të zbuluara.

Klan News