Vladimir Guga, i ati i studentit të ndjerë Reldi Guga, kërkon dëshpërimisht të dijë të vërtetën për vdekjen e djalit të tij 23-vjeçar.

Në një intervistë për emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, z.Vladimir thotë se nuk beson që mos të ketë punuar asnjë nga kamerat në rrugë, sikurse i kanë thënë autoritetet.

Ai bën thirrje për këdo që e ka parë ngjarjen, që t’i tregojë realisht rrethanat në të cilat humbi jetën djali i tij.

Vladimir Guga: Djali nuk është se do më kthehet çfarëdo lloj gjëje të bëhet. Unë thjesht dua të dali e vërteta si ka ndodhur. Nuk e besoj asnjëherë në botë që asnjë nga kamerat nuk ka punuar në ato momente. Që mos ketë punuar asnjë kamera aty rreth e rrotull më duket… nuk e pranoj këtë gjë. Mund të dalin shumë gjëra, mund të thonë shumë gjëra, mund t’i mbulojnë, por është një version që nuk e besoj kurrë. I bëj thirrje kush të ketë mundësi nga këta persona që kanë qenë në vendngjarje në atë moment që mund të më kontaktojnë direkt ose nëpërmjet numrit të telefonit ose Facebook, të më tregojnë realisht se si ka ndodhur që të di të vërtetën. I bëj thirrje me zemër si prind që të më tregojnë të vërtetën, të më thonë çfarë kanë parë realisht në ato momente. Edhe ai zotëria, sipas një fotoje, është një zotëri thjesht dua të kontaktoj me të ta falenderoj për ndihmën që i ka dhënë djalit tim në ato momente.

Studenti Reldi Guga u përplas për vdekje nga bylyku i një kamioni pranë tregut të Uzinës Dinamo në kryeqytet mesditën e 11 Prillit. /klanplus