Veliaj: Do më nxjerrin edhe shok çerdheje me Eskobarin



Veliaj: Do më nxjerrin edhe shok çerdheje me Eskobarin

15:35 23/01/2021

“Opozita po fut në parlament prokurorë dhe gjyqtarë, subjekte të OFL”

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka zgjedhur të mos u përgjigjet drejtpërdrejt akuzave të opozitës, por në një takim me strukturat e socialistëve të Rrogozhinës tha se në këtë fushatë do të dëgjoni shumë çudira.

“Do dëgjoni në këtë fushatë çudira, ku do dalim që kemi qenë shokë çerdheje me Eskobarin, lloj-lloj çudirash. Strategjia e Saliut ka qenë përça dhe sundo. I ka funksionuar në vitet ‘90. Hidhte helmin e vet, përçante veriun dhe jugun.  Përçante myslimanë me të krishterë, përçante fshatin me qytetin. I funksionoi, por tani shqiptarët kanë parë botë me sy, dinë çfarë janë lajmet e rreme. Ata mund të hedhin helm, ata mund të marrin portale, ata mund të paguajnë rrjetet sociale që vënë gjoba, ata mund të bëjnë çfarë të duan. Por ne socialistët jemi të fokusuar tek data jonë, te kutia e votimit”,

Veliaj shigjetoi opozitën se po fut në parlament prokurorë e gjyqtarë të larguar nga vettingu që tani janë subjekt i OFL-së.

“Lajmi i parë i mirë i kësaj fushate është që Partia Socialiste është në majë. Lajmi i dytë i mirë është se një parti familjare, ose më saktë një sh.p.k, e atyre që kanë 30 vite që bëjnë lëmsh Shqipërinë, po reduktohet kokoshi një thelë. Nuk mund të ketë forca politike që në vitin 2021 marrin prokurorë dhe gjyqtarë, që i ka përzënë vettingu dhe janë objekte të OFL-së, e na i sjellin për t’i futur në parlament”.

Veliaj ftoi demokratë dhe anëtarë të LSI që tu bashkohen socialistëve sepse sipas tij kjo është forca që transformon vendin.

Tv Klan






Të ngjashme