“Të përfundojmë punimet në kantieret e hapura”

Fshati Mangull i Petrelës tashmë do të ketë shkollë të re 9-vjeçare, pas asaj që u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit. Teksa inspektoi shkollën e re, kryebashkiaku Erion Veliaj kërkoi votën e qytetarëve të Tiranës për të vijuar përfundimin e punimeve në kantieret e hapura.

“Pyetja është: Do ta lëmë me kaq, apo do i shkojmë deri në fund? ? Përgjigjia është e qartë: Nuk do ta lëmë me kaq! Do ta çojmë punën deri në fund, të sigurohemi që i kemi mbaruar të gjitha shkollat, kopshtet, shtëpitë që duhen rindërtuar pas tërmetit, dhe t’iu themi njerëzve, vërtet na ra një fatkeqësi, po u ngritëm në këmbë, më të fortë seç ishim kur u rrëzuam”.

Sipas Veliajt, Bashkia  e Tiranës po ndjek të njëjtin standard punimesh si në periferi edhe në qendër të qytetit.

“Më vjen mirë që kemi të njëjtin standard si në qendër të Tiranës, edhe këtu në Petrelë. Shkolla e re është një gëzim i madh për të gjitha familjet. Nuk është vetëm një shkollë, por edhe një qendër e teknologjisë së informacionit, ku nxënësit do të mësojnë kurse programimi e gjuhë të huaja. Mezi pres që nxënësit ta shohin shkollën e re dhe të shpëtojmë një herë e mirë nga vara-vingot në Tiranë”.

Shkolla e re në Mangull është dyfish më e madhe, me klasa deri në 24 nxënës, 3 laboratorë, bibliotekë e kabinete mjekësore, si dhe palestra e terrene sportive, që mund të shfrytëzohen edhe nga komuniteti.

Tv Klan