Kryebashkiaku shpërndan certifikata mirënjohjeje për mësuesit

Në ditën dedikuar mësuesve, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, mirëpriti 10 prej tyre në zyrën e tij për të shprehur mirënjohjen për punën e bërë në një vit të pazakontë për shkak të pandemisë. Në shenjë falenderimi kryebashkiaku shpërndau certifikata.

“Ma keni bërë mua jetën më të lehtë. Nuk e di a do i’a kisha dalë nëse do kishte dalë nga binarët i gjithë sistemi arsimor në Tiranë. Jam i sigurt që të njëjtën gjë e ndjen edhe kryeministri sepse është një hall të drejtosh një betejë edhe me tërmetin dhe me pandeminë, por duke ditur se i ke shpatullat e ngrohta se është një divizon një batalion i tërë që merret me shëndetin mendor dhe çështjen e dijeve”, tha Veliaj

Kryetari i Bashkisë nuk la pa përmendur rëndësinë që kanë gratë në PS. Sipas tij, nëse PS do kishte gjini do të ishte grua.

“Nëse do të kishte gjini politika e Partisë Socialiste do të ishte grua sepse të gjitha këto iniciativa kanë qenë për të fuqizuar rolin e gruas në shoqëri. Ne duhet të bëjmë më shumë”, u shpreh Veliaj.

Për mësuesit që kishin dalë në pension apo ishin në prag, Veliaj u propozoi të vazhdonin angazhimin në projekte të ndryshme që Bashkia Tiranë zhvillon, duke përmendur edhe Piramidën e cila sipas tij, do të kthehet në një qendër të teknologjisë dhe inovacionit.

Klan News