Veliaj nis turin në çdo njësi për rindërtimin



Veliaj nis turin në çdo njësi për rindërtimin

18:12 01/10/2020

“Po mbyllim pagesat e dëmshpërblimeve të tërmetit”

Kryebashkiaku i Tiranës ka nisur nga njeëia administrative numër 1 turin për të ndjekur ecurinë e procesit të rindërtimit dhe ecurinë e investimeve të bashkisë.

Veliaj siguroi se të gjitha familjet që kanë pësuar dëme të kategorisë DS1-DS2-DS3 do të marrin pagesën e dëmshpërblimit, ndërsa i kërkoi opozitës që të mos bëjë politikë me fatkeqësinë prej tërmetit.

“Siç kemi raste nevojtarësh, kemi edhe raste spekulantësh. Ne nuk do i hyjmë askujt në hak. Këto lekë merren nga taksat e qytetarëve. Kur shoh këta që bëjnë politikë, thonë: Ja, filani! Po mirë mo, ja ku e ka faturën, ja ku i ka marrë lekët, pse duhet të gënjesh e të bësh politikë me tërmetin e fatkeqësinë? Kemi pasur 5-6 raste në njësi të tjera ku, për dy minuta e verifikon nëse i ka tërhequr para apo jo. Qytetari e ka firmosur me dorën e tij, ka tërhequr paratë, por mos gënje sepse të tjerët që kanë paguar taksat thonë: Po mirë, unë po jap nga paratë e mia të të ndihmoj, mos e përdor politikisht”.

Veliaj sqaroi se pagesat janë vetëm për familjet në nevojë dhe jo për ata të cilët kanë më shumë se një pronë.

“Për atë që ka dy apartamente, kushtet nuk plotësohen sepse kjo është ndihmë sociale për nevojtarët dhe nuk është skemë shpërndarje parash pa kriter. Ne nuk e bëjmë për inat të dikujt, por e bëjmë me pasion, pasi kemi pasion t’iu shërbejmë njerëzve, të ndihmojmë atje ku mundemi. Kush ka vesh dhe sy e kupton. Unë besoj se ky është programi më i mirë”.

Po sot, në ditën e të moshuarve, Veliaj vizitoi edhe Shtëpinë e të Moshuarve, të cilëve u dhuroi nga një trëndafil.

Tv Klan




Të ngjashme