Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim dy politikanët suedezë me origjinë shqiptare, Adnan Dibrani dhe Arbër Gashi. Veliaj tha se komuniteti shqiptar në Suedi është konsoliduar dhe se Adnan Dibrani është shqiptari i parë që është bërë deputet në parlamentin suedez.

“E mira nuk vjen vetë dhe nuk vjen lehtë, dikush duhet të marrë përsipër betejën, dikush duhet ta bëjë betejën e ta fitojë atë. Ju uroj shumë suksese në betejat tuaja. Adnani shkon në një nivel tjetër, nga Parlamenti suedez në Parlamentin Europian. Edhe Arbri, si deputet zëvendësues, do të përfaqësojë pjesën më aktive të komunitetit tonë. E di që komuniteti ynë në Suedi është komunitet me shumë sakrifica, ama kur shikon djem të rinj, që e dinë prej nga kanë ardhur, dinë ku i kanë rrënjët dhe me çfarë sakrificash kanë mbërritur deri këtu”.

Kryebashkiaku tha se Tirana është qytet kozmopolitan ku jetojnë 130 kombësi dhe se duhet të mësojmë nga Suedia.

“Tirana po zhvillohet dita-ditës dhe theksoi se tashmë është edhe vendi i 25 mijë italianëve që jetojnë në Tiranë dhe i 3 mijë ukrainasve që janë zhvendosur këtu. Suedia është një shkollë e jashtëzakonshme për të mësuar si të japësh sa më shumë mundësi dhe shanse për të gjithë”.

Dy politikanët, Adnan Dibrani dhe Arbër Gashi shprehën kënaqësinë që vijnë dhe vizitojnë Tiranën, që po zhvillohet përditë e më shumë dhe është për t’u marrë shembull.

Klan News