Erjon Veliaj i sheh si sulme të organizuara politike të kundërshtarëve akuzat më të fundit në adresë të tij. Motivi sipas tij lidhet me afrimin e zgjedhjeve parlamentare dhe faktin se ai vetë drejton qarkun më të madh ku socialistët, ai thotë me siguri do të fitojnë në të gjitha bashkitë që janë pjesë e këtij qarku.

“Nuk ka njeri dyshim që, edhe ky sulm “non stop”, që bëhet ndaj Tiranës, ndaj partisë sonë, ndaj lidershipit tonë, bëhet me plan. Sepse e dinë që Qarku i Tiranës do të ketë edhe grupin, edhe prodhimin më të madh të mandateve në Parlament. Nuk bëhet fjalë për sherre personale. Asnjë prej nesh nuk është naiv. Bëhet fjalë për një sulm “non stop”, për të sulmuar të gjitha figurat kryesore të PS-së, sepse është e pamundur që ata të fitojnë. Ndërkohë, teksa ata e kanë ndarë mendjen të merren me llafe, me sherre, me shpifje, me gënjeshtra – le të vazhdojnë punën e tyre – ne merremi me fitoren, me organizimin e njerëzve, me mobilizimin, me projekte konkrete, ne kemi një kryetar si Edi Rama, që është padyshim kryeministri më i mirë që kemi pasur, që nga koha e Pavarësisë, dhe një Parti Socialiste që ka thyer rekord me tre mandate dhe që do ta thyejë bindshëm rekordin me katër mandate.”

Në zgjedhjet lokale të 2023, socialistët nuk arritën të fitonin në 5 bashkitë që ka ky qark, drejtimin e Kavajës e morën demokratët. Ndaj në takimin me 14 organizatat e kësaj bashkie, Veliaj kërkon angazhim maksimal jo vetëm për anëtarësimet e reja, por dhe fitoren në 2025.

“Është e rëndësishme të fitojmë kudo. Jo të fitojmë 4-1, por 5-0, siç na ka hije, siç i ka hije qarkut tonë, që është qarku që prodhon numrin më të madh të deputetëve.”

Socialistët janë në një proces rienergjizimi që synon shtimin e radhëve, por dhe zgjedhjen e drejtuesve të rinj që nga krerët e organizatave deri tek kryetarët e partive në çdo degë.

Tv Klan