Veliaj: Sulmi me thikë në xhami, akt i rëndë



Veliaj: Sulmi me thikë në xhami, akt i rëndë

16:53 19/04/2021

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në xhaminë e Rrugës së Kavajës ku 5 persona mbetën të plagosur me thikë nga një 34-vjeçar.

Veliaj shprehet se sulmi në xhami është një akt i rëndë që duhet dënuar me forcë. Sipas tij, kjo ngjarje nuk përfaqëson asnjë grimcë nga fryma e paqes dhe mirësisë që fal edhe muaji i shenjtë i Ramazanit. Ai u uron shërbim të shpejtë të plagosurve, të cilët fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

“Ngjarja e sotme në xhaminë e Rr. së Kavajës është një akt i rëndë, që duhet dënuar me forcë, e nuk përfaqëson asnjë grimë nga fryma e paqes dhe e mirësisë që fal muaji i Shenjtë i Ramazanit. Shërim të shpejtë të plagosurve, të cilët fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën”, shkruan Veliaj në Twitter.

34-vjeçari Rudolf Nikollaj hyri me thikë në xhaminë ‘Dine Hoxha’ këtë të hënë dhe sulmoi 5 besimtarë duke i lënë të plagosur. Ai u neutralizua jashtë ambienteve të xhamisë nga qytetarë të rastit ndërsa policia i vuri prangat. Ai është dërguar në polici ku po pyetet për ngjarjen.

Ndërkohë të lënduarit ndodhen në spital dhe fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas informacioneve paraprake, 34-vjeçari sulmoi besimtarët brenda xhamisë teksa këta të fundit ishin duke u falur.

Rudolf Nikollaj është person me precedent të mëparshëm penal pasi në muajin Mars kishte goditur sërish me thikë një 32-vjeçar pas një sherri në terminalin e autobusëve./tvklan.al







Të ngjashme