Kryetari i Bashkisë së Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të aplikojnë te Fondi i Komuniteteve, për të transformuar pallatet, pasi kështu sipas tij rritet edhe vlera e pronës.

“Aty ku dhe qytetarët marrin pjesë, ndihen krenarë.”

Teksa mori pjesë në një takim me administratorët e pallateve, kryebashkiaku Veliaj theksoi se vëmendja duhet t’i kushtohet shumicës që jeton dhe punon me ndershmëri dhe jo minorancave të zhurmshme.

“Duket sikur i kushtojmë shumë vëmendje një grupi të vogël që bën zhurmë dhe harrojmë një shumicë njerëzish që jeton, që punon me ndershmëri, që e do qytetin, që mban pastër, që do rregull, që ka një komunikim serioz me komunitetin, që  kupton që atdheu nuk fillon tek pika doganore kufitare, por fillon tek shtëpia, pallati yt, tek sheshpushimi, tek mënyra se si bashkëpunon me komunitetin.”

Veliaj bëri thirrje gjithashtu që 2024 të jetë viti ku të gjithë pallatet në kryeqytet të kenë administratorin e tyre.

Tv Klan