Nga mbledhja e Asamblesë Socialiste të kryeqytetit, drejtuesi i PS për qarkun e Tiranës Erion Veliaj nuk la pa ironizuar protestat e opozitës dhe akuzat kundrejt tij.

Erion Veliaj: Argëtohesh me 30 veta me molotov, kryesisht fëmijë që mëkat që një parti politike ka degraduar aty, por kur kujtoj se si Partia Socialiste nuk i kishte betejat me ca ‘çapaçulë’, por ishte gjithë shteti kundër PS. Edhe ballkoni ku mallkohemi çdo natë i është trefishuar vlera e pronës, edhe paralelja ku gajasemi çdo mëngjes, gjitha ajo zonë kodrinore është katërfishuar.  

Gjatë Asamblesë së Zgjeruar, Veliaj u ndal edhe tek anëtarësimet e reja në PS.

Erion Veliaj: Jam vërtet mirënjohës për të gjithë këto djem dhe vajza që n’a janë bashkuar dhe më vjen mirë që më në fund kemi 30% të anëtarësisë sonë zyrtarisht të rinj ashtu siç e kërkon statuti dhe jemi pothuajse perfekt me 47% gra dhe vajza që dua t’ju jap një falenderim dhe mirënjohje të veçantë.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi dha detaje për procesin e votimit me 10 dhe 11 Maj.

Blendi Klosi: Ditën e premte, nga ora 3 e pasdites e deri në orën 7 hapen qendrat e votimit në 5 mijë e 200 organizata socialiste në Shqipëri. Kemi zgjedhur 2 ditë për të kryer këtë proces, më 10 dhe 11 Maj për të pasur mundësinë që t’i japim hapësira 95 mijë anëtarëve të PS-së për të votuar në këtë proces zgjedhor. Sot mund të themi se e gjithë partia e kuptoi mesazhin se delegatët e Kongresit duhet të jenë përfaqësues të një fryme të re që vetë partia kërkon brenda organizatës së saj goxha të strukturuar.

Veliaj dhe Klosi nënvizuan se të gjithë socialistet do të jenë së bashku në mbështetje të Kryeministrit Rama për turin e tij në Athinë, Milano, Londër dhe Duseldorf.

Klan News