Vetëpezullohet nga punimet e Kuvendit Deputeti Armando Prenga. Në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, Deputeti Prenga shkruan se është tërhequr nga punimet e Kuvendit, derisa Gjykata e Lartë të marrë një vendim për fajësinë ose jo lidhur me konfliktin e Lagunës së Patokut.

“Duke marrë shkas nga deklarimet e përfaqësuesve të Partisë Demokratike dëshiroj t’iu bëj me dije vendimin tim për t’u vetëpezulluar nga aktiviteti i Parlamentit të Shqipërisë, deri në marrjen e një vendimi gjyqësor për çështjen në të cilën unë jam i përfshirë. Edhe pse plotësisht i bindur në pafajësinë time, dëshiroj të mbetem larg jetës parlamentare për sa kohë Sali Berisha dhe Lulzim Basha, që duhet të ishin përpara drejtësisë, më kanë kthyer në tabelë qitje siç e kanë zakon, se nuk dinë të bëjnë punë tjetër”, 

shkruhet në letrën e Deputetit Prenga drejtuar Kryetarit të Kuvendit.

Prenga shkruan se, do të vazhdojë deri në fund betejën gjyqësore, ndërsa thotë se Partia Demokratike le të mbajë të dënuarin Xhelal Mziu si hero në luftën për demokraci.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike, që e quajti vetëpezullimin e Prengës një truk të ulët, që ka për synim të justifikojë bllokimin e nismës ligjore të PD, për amendimin e ligjit të Dekriminalizimit.

Armando Prenga u rikthye në Kuvend të hënën, ku mori pjesë në punimet e Komisionit të Sigurisë, ku ishte thirrur për të raportuar Ministrja e Mbrojtjes lidhur me vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerry.

Prenga u lirua para disa ditësh me një vendim të Gjykatës së Lartë, që i caktoi masën ‘detyrim paraqitje’, për akuzat që e lidhnin me konfliktin e Lagunës së Patokut.

Tv Klan